LajmeMaqedoniTopLajm

SOFJA E SHKUPI NUK GJEJNË PAQE: Pushimet e Mickoskit ndezin krizë të re diplomatike!

Përplasjet diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes vazhdojnë të thellohen, kësaj radhe pas publikimit të një dokumenti diplomatik që lidhet me udhëtimin privat të familjes së kryeministrit Hristijan Mickoski në qendrën turistike Pamporovo të Bullgarisë. Rasti ka shkaktuar reagime të forta në të dyja vendet, ndërsa tensionet kanë marrë një dimension të ri politik dhe diplomatik.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë mohoi se ka bërë publike ndonjë notë diplomatike apo korrespondencë zyrtare që lidhet me vizitën e familjes së një zyrtari të lartë të një shteti tjetër. “Nuk është zbuluar asnjë notë diplomatike apo ndonjë korrespondencë tjetër formale që ka të bëjë me vizitën e anëtarëve të familjes së një përfaqësuesi zyrtar të një shteti tjetër”, deklaroi Ministria e Jashtme bullgare për mediat në Sofje.

Megjithatë, autoritetet bullgare sqarojnë se informacionet që qarkullojnë në opinion i referohen një note verbale të datës 6 janar 2026, e cila lidhet me ngjarje të mëhershme dhe, sipas tyre, nuk mund të interpretohet si dëshmi për ekzistimin e ndonjë kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së qytetarëve bullgarë apo të ndonjë shteti tjetër. Sofja zyrtare theksoi gjithashtu se respekton në mënyrë rigoroze rregullat ndërkombëtare për mbrojtjen e korrespondencës diplomatike.

Nga ana tjetër, Shkupi ka reaguar ashpër. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se pret një kërkimfalje zyrtare nga Bullgaria për publikimin e dokumentit, duke e cilësuar rastin si shkelje serioze të standardeve diplomatike. Për këtë arsye, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut e thirri në bisedë ambasadorin bullgar, ndërsa për rastin janë informuar edhe përfaqësues të NATO-s dhe partnerët strategjikë të vendit.

Mucunski tha se ambasadorit bullgar i është përcjellë pakënaqësi e thellë për mënyrën se si janë cenuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, duke theksuar se publikimi i informacioneve që kanë të bëjnë me lëvizjet e familjarëve të funksionarëve shtetërorë është i papranueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij, Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk ka lejuar që dokumente konfidenciale të kësaj natyre të përfundojnë në opinionin publik, ndërsa siguria e zyrtarëve dhe familjeve të tyre duhet të mbetet prioritet absolut. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski reagoi më herët duke vlerësuar se ky veprim i Sofjes nuk kontribuon në ndërtimin e besimit mes dy vendeve dhe nuk krijon klimë pozitive për vazhdimin e dialogut në procesin e integrimit evropian. Ai e cilësoi publikimin e të dhënave për familjen e tij si një precedent të papranueshëm në praktikën diplomatike.

Ndërkohë, polemikat janë zhvendosur edhe në skenën e brendshme politike. VMRO-DPMNE reagoi sot duke akuzuar liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, se nuk ka dënuar, siç e cilësojnë ata, “skandalin diplomatik të Bullgarisë”. “Filipçe hesht dhe nuk e ka dënuar skandalin diplomatik të Bullgarisë me notën diplomatike që shkeli sigurinë e kryeministrit Mickoski”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet.

Sipas VMRO-DPMNE-së, në opinion është publikuar një dokument me materiale diplomatike dhe përmbajtje të ndjeshme që lidhen me aspektet e sigurisë së udhëheqjes shtetërore, ndërsa, sipas tyre, opozita nuk ka reaguar. Ata pretendojnë se dokumenti përmbante të dhëna për automjetet zyrtare, emrat e personave që udhëtonin, vendndodhjen e familjes së kryeministrit, si edhe frekuencat e komunikimit të njësive të sigurimit. “Në vend që ta dënojë këtë precedent diplomatik dhe të kërkojë përgjegjësi, Filipçe zgjodhi heshtjen. Kjo ngre pyetje serioze për qëndrimet dhe prioritetet e tij politike”, deklaruan nga VMRO-DPMNE.

Partia në pushtet shkoi edhe më tej duke pretenduar se “bashkëpunëtorët politikë të Filipçes në Bullgari, të udhëhequr nga kryeministri Rumen Radev, të cilët mohojnë identitetin, gjuhën, historinë dhe kulturën maqedonase, kanë krijuar një precedent diplomatik me publikimin e kësaj note”. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se, pavarësisht presioneve politike nga jashtë, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian.

Related Articles

Back to top button
Close
Close