
Pas paralajmërimit se nesër në orën 10:00 do të protestohet për mungesën e rrogave, stafi i drejtorit të Spitalit të Tetovës ka dërguar një SMS kolektiv tek punonjësit me kontratë në vepër, duke u kërkuar që të mos marrin pjesë në protestë, me arsyetimin se gjithçka do të zgjidhet së shpejti.
“Informacion për të gjithë të punësuarit me kontratë në vepër: Sot sërish është dërguar kërkesë deri te Ministria e Financave për të marrë pëlqim për kontratat në vepër. Ju lutemi të keni durim, sepse rrogat nuk varen nga Spitali i Tetovës,” thuhet në mesazhin e dërguar për mbi 140 të punësuar.
Punonjësit theksojnë se janë lodhur nga premtimet boshe dhe nga pritja pafund. “Durimi ynë ka një kufi. Ne kemi familje, fëmijë, borxhe dhe nuk mund të presim pa fund,” shprehen disa prej tyre për TS.



