LajmeMaqedoniTopLajm

Skandal në Tetovë: Kasami planifikon privatizimin e ujësjellësit – çmimi i ujit do të rritet ndjeshëm!

Kryetari në largim i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, po përgatit një tjetër vendim skandaloz që ka ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik. Sipas akuzave të Aleancës për Shqiptarët – Dega Tetovë, Kasami po përgatit privatizimin e ujësjellësit të qytetit, një vendim që, sipas tyre, do të çojë në rritje drastike të çmimit të ujit të pijshëm, shkruan Top24

Sipas të dhënave të publikuara, sistemi i ujësjellësit do t’i dorëzohet një kompanie private, e cila nuk do të bëjë investime të rëndësishme, përveç vendosjes së aparateve për matjen e konsumit të ujit nga qytetarët. Ndërkohë, kostoja për konsumatorët pritet të rritet ndjeshëm.

“Aleanca për Shqiptarët” thekson se ky është një tjetër hap drejt shkatërrimit të pronës publike dhe pasurive të përbashkëta të tetovarëve, duke akuzuar Kasamin dhe rrethin e tij për përfitime personale në dëm të qytetarëve.

“Tetova ka burime të mjaftueshme uji – nuk ka asnjë arsye për privatizim. Paratë që mblidhen nga taksat janë të mjaftueshme për të përmirësuar rrjetin e ujësjellësit, por ato po keqpërdoren”, thuhet në reagimin e Aleancës.

Ata theksojnë se problemi real është rrjeti i amortizuar dhe jo mungesa e ujit apo e fondeve. Sipas tyre, çdo veprim drejt privatizimit nuk është zgjidhje teknike, por një vendim politik me qëllime të qarta përfitimi.

Kjo nuk është hera e parë që drejtuesi i komunës akuzohet për keqpërdorim të pronës publike. Aleanca për Shqiptarët rikujton se gjatë mandatit të tij janë privatizuar toka dhe hapësira publike për çmime të cilësuara si “qesharake”. Vendimi për fatin e ujit të Tetovës mbetet një çështje e nxehtë politike dhe publike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close