
10 qershori është procesverbali i fundit i publikuar në gjuhën shqipe nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar përsëri problemin e vazhdueshëm të transparencës qeveritare. Megjithatë, zëvendëskryeministri Arben Fetai vazhdon të këmbëngulë në mënyrë të pabazë se të gjitha procesverbalet janë të disponueshme në të dy gjuhët shqip dhe maqedonisht. Edhe kolegu i tij, Izet Mexhiti, ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, ndonëse faktet flasin të kundërtën, raporton Portalb.mk.
Në një përballje të drejtpërdrejtë me gazetarin e Portalb.mk, Fetai refuzoi të pranojë realitetin, pavarësisht argumenteve të qarta dhe kontrollit të aty-për-atyshëm të uebfaqes zyrtare, ku u konstatua se procesverbalet e fundit janë publikuar vetëm në gjuhën maqedonase.
Mohimi i vazhdueshëm nga ana e Fetait,“Nuk është e vërtetë” u përsërit disa herë, edhe pasi u përmend se mungesa përfshin 10-20 seanca të fundit. Për ironi, vetë numri real i seancave pa përkthim – 16 – bie saktësisht brenda këtij intervali, gjë që Fetai e mohoi pa hezitim.
Kur gazetari lërkoi llogaridhënia për këtë mospërputhje midis realitetit dhe deklaratave që ata bëjnë, ndërhyri ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu i cili devijoi temën e diskutimit, duke bërë që të shmanget një përgjigje për një çështje thelbësore që vazhdon të përsëritet, garantimin e transparencës qeveritare.
Fetai u përpoq të justifikonte mungesën e procesverbaleve me “vonesa teknike” dhe publikim të “grumbull të procesverbaleve”, çështje që në vetvete përbëjnë një problem tjetër: Qytetarët nuk janë në kohë të informuar mbi seancat, pasi ato publikohen “grumbull”, pra disa seanca njëherësh, si dhe që mungesa sistematike e përkthimeve në shqip nuk është më vetëm çështje teknike por mungesë vullneti politik për zbatimin e shqipes në institucione.
Vetëm me 10 qershor ka procesverbal në gjuhën shqipe, në seancat pasuese jo, kjo mund të shihet në videon më poshtë nga ueb-faqja e Qeverisë të cilën e verifikuam sot.
Në vijim po ua përcjellim të plotë diskutimin që u zhvillua mes gazetarit të Portalb.mk Fisnik Xhelili dhe zëvendëskryeministrit Arben Fetai.
Gazetari i Portalb: Z. Fetai, jeni angazhuar për politika dhe qeverisje të mirë, pse Qeveria e RMV-së nuk i publikon rregullisht procesverbalet nga seancat e Qeverisë dhe më e rëndësishmja këto procesverbale nuk janë aspak në gjuhën shqipe edhe pse jeni zotuar ta mbroni të njëjtën?
Fetai: Jo, kjo nuk është e vërtetë.
Gazetari i Portalb: E vërtetë është, pasi sapo i kontrolluam, pak para se të vijmë këtu dhe nuk janë në gjuhën shqipe.
Fetai: Nuk është e vërtetë.
Gazetari i Portalb: Të njëjtën e thotë edhe Mexhiti, Ja tani ju sfidoj ndoshta (kontrollon uebfaqen).
Fetai: Procesverbalet për herë të parë publikohen në të dy gjuhët. Është e vërtetë se ka vonesa, sepse procesverbalet nganjëherë publikohen në grumbull, pra për disa seanca përnjëherë, të njëjtat përkthehen, për herë të parë madje në gjuhën shqipe. Në qeverinë paraprake nuk i ke pasur fare, tani i ke në gjuhën shqipe për çdo seancë. Nuk janë deri në cilën periudhë, a mund ta di?
Gazetari i Portalb: Periudhën e fundit, 10- 20 seanca.
Fetai: Nuk është e vërtetë, nuk janë 10-20 seanca, pasi kur kam kontrolluar herën e fundit ka pasur një grumbull seancash.
Gazetari i Portalb: Unë e kontrollova tash, janë vetëm në gjuhën maqedonase.
Fetai: Dokumentet mund të vonohen, por ato vendosen në dy gjuhë.
Gazetari i Portalb: Cila është rëndësia nëse vonohen dhe nuk vendohen pasi përfundon seanca?
Këtu ndërhyri ministri Azir Aliu, pas çka këtu u ndërpre diskutimi për çështjen e gjuhës.
Kur Fetai thotë se “nuk është e vërtetë, nuk janë 10-20 seanca”, por janë shumë plot 16 seanca, që është pikërisht midis numrave të përmendur, megjithatë Fetai e mohon. Vetëm me 10 qershor ka procesverbal në gjuhën shqipe.
Situatë të ngjashme, mospërputhje midis realitetit dhe deklaratave, patëm edhe para një muaji. Në vend se t’i përgjigjej qartë dhe drejt pyetjes së Portalb.mk se “Përse prej afro një viti Qeveria nuk i publikon vendimet dhe procesverbalet edhe në gjuhën shqipe?”, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti vendosi të sulmojë BDI-në, tashmë në opozitë, edhe pse përgjegjësia aktuale për këtë gjë bie mbi koalicionin qeverisës të VLEN-it, pjesë e së cilës është edhe ai vetë. Ajo që pasoi ishte përgjigje plot vetëbesim, por që përmbante një kundërthënie të thellë: fillimisht Mexhiti mohoi kategorikisht se procesverbalet mungojnë në shqip, për të shtuar menjëherë pas kësaj se “prej dje” ato janë edhe në shqip, duke konfirmuar pikërisht mungesën që sapo e mohoi.
“Nuk është e vërtetë (që procesverbalet nuk janë edhe në shqip). Procesverbalet, në vazhdimësi në Qeveritë e kaluara kanë qenë vetëm në maqedonisht. Vetëm ato muaj që ka qenë Talat Xhaferi ka pasur në dy gjuhë, ndërsa 20 vite të tëra Qeveritë e BDI-së i kanë pasur në një gjuhë dhe dje e keni parë edhe dallimin. Seancat që i udhëheq unë me procesverbale janë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa tash e tutje, për herë të parë, pa marrë parasysh se kush i udhëheq seancat qeveritare, pavarsisht se kush është kryeministër, edhe procesverbalet do të jenë në dy gjuhë, edhe në gjuhën shqipe, prej dje”, tha Mexhiti.
Redaksia jonë atë ditë, vëzhgoi faqen zyrtare dhe solli prova vizuale për të dëshmuar se procesverbalet mungojnë në shqip pothuajse që prej verës së kaluar, si dhe më herët.
Në mandatin e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Mickoski, ashtu sikurse raportuam muajin e kaluar, vetëm një procesverbal kishte publikuar në shqip, dhe ai mbante datën 11 korrik 2024. Seancat e qeverisë, në versionin shqip të uebfaqes janë madje në maqedonisht, tek-tuk me ndonjë informatë në shqip, por përsëri me mungesë të procesverbaleve.
Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla asnjëherë nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.



