
Motoja “Evropa më e fortë – NATO më e fortë” sipas meje do të thotë se një Evropë e zgjuar dhe e bashkuar është një Evropë më e fortë. Por, Evropa më e fortë është ajo që jeton në paqe dhe demokraci e bazuar në parime dhe vlera. Ky është mesazhi im, theksoi presidentja Siljanovska-Davkova në deklaratën e saj të shkurtër për mediat para mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive, që po mbahet në kompleksin presidencial “Beshtepe” në Ankara.
Është parashikuar që presidentja Siljanovska-Davkova të mbajë një fjalim në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në të cilin marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të NATO-s.
Në prag të samitit të NATO-s, Siljanovska-Davkova mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
“Në frymën e aleancës dhe respektit të ndërsjellë, me shefat e shteteve dhe qeverive shkëmbyem mendime për formësimin e mëtejshëm të arkitekturës së sigurisë euroatlantike, forcimin e mbrojtjes kolektive dhe konsolidimin e unitetit transatlantik. Jam e bindur se, me mençuri politike, besim të ndërsjellë dhe përkushtim të fortë, mund të krijojmë zgjidhje në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë”, shkroi presidentja në Fejsbuk.
Siljanovska-Davkova në samit udhëheq delegacionin e Maqedonisë së Veriut, në përbërje të të cilin janë ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashmte, Vllado Misajllovski dhe Timço Mucunski, si dhe gjeneralmajori Sashko Lafçiski, kryeshef i Shatmadhorisë së Armatës.
Në fokus të agjendës së samitit është forcimi i sigurisë kolektive të Aleancës përmes investimeve më të mëdha në mbrojtje, zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe përmirësimit të kapaciteteve mbrojtëse, si dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën.
Në margjinat e samitit është paraparë që presidentja Siljanovska-Davkova të zhvillojë takime me shefat e delegacioneve të disa prej vendeve anëtare të NATO-së.
Samiti dyditorë në Ankara mblodhi liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, mes të cilëve janë presidenti amerikan, Donald Tramp, presidenti francez, Emanuel Makron, kryeministri britanik, Kir Starmer, kancelari gjerman, Fridrih Merc, kryeministrja italiane, Xhorxha Meloni, kryeministri kanadez, Mark Karni, presidenti finlandez, Aleksandar Stub, presidenti sllovak Peter Pelegrini, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri bullgar Rumen Radev, kryeministri malazez, Milojko Spaiq…
Në samit do të marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.
Përvec 32 shefave të shteteve dhe qeverive të NATO-s, në samit janë të pranishëm edhe rreth 100 ministra, diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, së bashku me disa mijëra diplomatë, gazetarë dhe të ftuar të tjerë.



