
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova quajti presion në pushtetin gjyqësor deklaratën e dy ditëve më parë liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, se nëse ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi akuzohet për tragjedinë e Koçanit, do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehet derisa të provokojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale.
Presidentja e shtetit shtoi se ndryshe nga Ahmeti, ajo i mat fjalët sepse nuk dëshiron të ndërhyjë në pushtetin gjyqësor.
“Unë ndryshe nga z.Ahmeti, do t’i mas fjalët e mia, nuk dua të ndërhyj në pushtetin gjyqësor, por megjithatë e dini se çfarë kanë bërë të gjithë, përfshirë z. Ahmeti dhe BDI-në, shumë herë kanë bërë thirrje për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, mirëpo ky lloj fjalimi në fakt do të thotë presion mbi pushtetin gjyqësor. Nuk dua të jap një vlerësim të kualifikimit, me shumë gjasa është një moment dobësie ose nuk dua të them një moment mossinqeriteti, por 30 vjet më vonë, dhe veçanërisht BDI pas 20 vitesh në pushtet, ne duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve dhe partitë duhet të qëndrojnë mënjanë. E kam thënë shumë herë se shpesh thonë për ne se nuk mund të bëhet dallim ndërmjet vijës së hollë, ku mbarojnë partitë dhe ku fillojnë institucionet shtetërore. Shtetet në të cilat partitë ndonjëherë paraqiten sikur të ishin institucione shtetërore, dhe nuk janë, quhen partitokraci, që nuk është një model demokratik. Z.Ahmeti ka bërë thirrje shumë herë për veting, vetingu është në funksion të kryerjes cilësore të funksioneve, përfshirë Gjykatën. Shpresoj që kjo të ketë qenë vetëm një deklaratë dhe që Ahmeti dhe BDI, të cilët kanë qenë në pushtet për shumë vite, dy dekada, të kenë mësuar se institucionet duhet të respektohen dhe se Gjykata është ajo që do të gjykojë nëse dikush ka gabuar apo jo, nuk po flasim për një person këtu, por prezumimi i pafajësisë vlen për të gjithë, theksoi Siljanovska Davkova pas përfundimit të Akademisë solemne me rastin e 80 vjetorit nga kodifikimi i gjuhës standarde maqedonase, në ASHMAN, që ishte nën patronatin e saj.
Ahmeti në deklaratë për “Sloboden peçat” javën e kaluar tha se nëse Bekteshi akuzohet, kjo do të shkaktojë protesta dhe shtoi se në çdo moment, sikur nga shakaja, mund të nxjerrë dhjetë mijë mbështetës të BDI-së në rrugë, të cilët do të protestojnë çdo javë.



