
Lulja e Srebrenicës, e njohur edhe si lulja “Kujtesa”, sot njihet në mbarë botën si simbol i kujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë të korrikut të vitit 1995. Historia e saj është një histori e dhembshurisë, pikëllimit, por edhe e një shprese që nuk është nënshtruar.
Lulja u krijua në vitin 2011 me iniciativën e shoqatës “Gračaničko keranje” nga Graçanica. Gratë e kësaj shoqate, të cilat merren me ruajtjen e zanatit tradicional boshnjak – keranje (punimi i dantellave me gjilpërë) – dëshironin të krijonin një simbol të prekshëm që do të kujtonte tragjedinë e tmerrshme të Srebrenicës, ngjashëm me mënyrën se si lulja e lulekuqes kujton viktimat e Luftës së Parë Botërore në Britaninë e Madhe.
Për herë të parë ajo iu prezantua publikut më 1 korrik 2011.
Ngjyra e bardhë e petaleve të lules simbolizon pafajësinë dhe vuajtjen, ndërsa ngjyra e gjelbër në qendër të saj përfaqëson shpresën. 11 petalet simbolizojnë datën 11 korrik 1995.
“Atë ditë shpërndamë rreth 15 mijë lule në të gjithë Bosnjë-Hercegovinën. Idesë për krijimin e lules na e dha atëherë Reis-ul-ulema Mustafa ef. Ceriq, sepse Srebrenicës i duhej një simbol kujtese për të pafajshmit e vrarë në gjenocid dhe për luftën kundër gjenocidit”, ka thënë më herët për agjencinë Fena, kryetarja e shoqatës “Gračaničko keranje”, Azemina Ahmedbegoviq.
Artisti sarajevas Mensur Bektiq krijoi gjithashtu një version të ngjashëm të lules në formë filigrani, të punuar prej argjendi. Edhe kjo lule ka 11 petale, ndërsa secila petale përbëhet nga 7 elemente.
Pjesët e lules së argjendtë të Srebrenicës simbolizojnë sytë njerëzorë – sytë e viktimave të gjenocidit, por edhe të boshnjakëve të mbijetuar. Në qendër të lules ndodhet një gur i gjelbër prej qelqi.
Bektiq ka shpjeguar:
“Unë e kam pasuruar lulen e Srebrenicës. Pse bëhet prej argjendi? Sepse vetë Srebrenica gjatë historisë quhej Argentarija, pasi për shekuj aty nxirrej xehe argjendi. Monedhat për Perandorinë Romake prodhoheshin në Srebrenicë. Pikërisht dëshira ime ishte që të krijohej diçka me simbolin sipas të cilit Srebrenica mori emrin. Filigrani në 90 për qind të rasteve punohet me argjend, kështu që këtu kemi bashkuar historinë, artin dhe simbolikën.”
Projektin ideor të lules, me iniciativën e dr. Mustafa Ceriqit, e realizoi Jasmina Çamxhiq nga Tuzla.
Nga pesë modelet që ajo propozoi, u zgjodh pikërisht lulja që sot, në shenjë kujtimi për të vrarët e Srebrenicës, e mbajnë mijëra njerëz në mbarë botën.



