
Mungesa e proces verbalistit në Gjykatën e Tetovës bëri që të anulohet seanca gjyqësore përmes së cilës rreth 50 ish të punësuar në shtypshkronjën e falimentuar “Napredok” po përpiqen të marrin 10 rrogat e papaguara. Të dëshpëruar që as sot nuk u bë gjë, ata kërkuan zgjidhjen më të shpejtë të kësaj lënde. Përndryshe, shtypshkronja dikur ka qenë në pronësi shtetërore, por më pas u privatizua, dhe funksionoi deri në fund të vitit 2023. Pas falimentimit, punëtorët mbetën pa punë dhe me 10 paga të pa paguara.
“Pritëm tri muaj, që do të thotë se ky është viti i dytë, që presim seancën gjyqësore të mbahet dhe me shpresë se një ditë, do të realizohet. Për fat të keq, erdhëm edhe para tre muajve, na thanë që të vijmë sot me shpresën se do të mbahet seanca por ashtu siç e patë edhe sot u anulua. Për shkak se nuk kishte procesverbalit. Por ne u zotuam që do ta bëjmë procesverbalistin, pasi jemi pa punë që njëherë e përgjithmonë t’i vihet fundi kësaj teme. Të na japin vetëm rrogat tona sepse nuk kërkojmë tjetër gjë”, tha Zhivka Dimovska – ish e punësuar në shtypshkronjë.
“Do vazhdojmë ta ngremë zërin se ne kemi të drejtë. U mbyll firma jonë. Punë kishte shumë dhe ne mbetëm në rrugë. Unë jam me 45 vjet stazh pune, mbetëm në rrugë, kjo nuk është në rregull. Më shumë jam e revoltuar me gjykatën e Tetovës se pse nuk merr hapa për ne. Edhe zërin do e ngremë edhe më tutje”, theksoi Behixhe Sejdija – ish e punësuar në shtypshkronjë.



