BotaLajme

Shtetet e Bashkuara nuk do të bashkohen në përpjekjet globale për të gjetur vaksinën e COVID-19

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, tha se nuk do të angazhohet në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të zhvilluar dhe shpërndarë një vaksinë kundër COVID-19 sepse “nuk dëshiron të kufizohet nga grupe shumëpalëshe si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)”, shkruan Asocciated Press.

Gazeta Washington Post, më 1 shtator raportoi për vendimin amerikan që të angazhohen veçmas për vaksinën. Shtëpia e Bardhë në fillim të korrikut vendosi për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Presidenti Trump pretendon se OBSH-ja ka nevojë për reformë dhe është shumë e ndikuar nga Kina.

Gara për të zbuluar një vaksinë kundër COVID-19

Disa shtete në botë kanë punuar drejtpërdrejt për të siguruar furnizime të vaksinave, por të tjerët po bashkojnë përpjekjet për të pasur sukses kundër një sëmundjeje që nuk njeh kufij gjeografikë.

Më shumë se 150 vende po i bashkohen një strukture globale të vaksinimit, COVAX.
COVAX është një program që synon të bashkojë fondet e shteteve të pasura dhe të organizatave joqeveritare, me qëllim të zhvillimit të vaksinës për sëmundjen COVID-19, që shkakton koroanvirusi, si dhe ta shpërndajë atë në gjithë botën.

Kjo përpjekje e bashkëpunimit, e lidhur me OBSH-në, do t’u lejojë kombeve të përfitojnë nga një portofol i vaksinave të mundshme në mënyrë që të sigurohen se qytetarët e tyre do të kenë qasje të shpejt në cilëndo vaksinë që konsiderohet efektive.

OBSH-ja thotë se edhe qeveritë që bëjnë marrëveshje me prodhuesit individualë të vaksinave do të përfitojnë nga bashkimi me COVAX sepse do të siguronte vaksina rezervë në rast se ato që bëhen përmes marrëveshjeve dypalëshe me prodhuesit, nuk janë të suksesshme.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhojnë partnerët tanë ndërkombëtarë për të siguruar që ne ta mposhtim këtë virus, por ne nuk do të kufizohemi nga organizatat shumëpalëshe të ndikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e korruptuar dhe Kina”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere.

“Ky president nuk do të kursejë asnjë shpenzim për të siguruar që çdo vaksinë e re të ruajë standardin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës”, theksoi ai.

Përpjekjet e OBSH-së për t’iu siguruar të gjithëve vaksina për COVID-19

Republikani Ami Bera, tha se vendimi i administratës do të pengojë betejën për t’i dhënë fund pandemisë.

“Anëtarësimi në COVAX është një masë e thjeshtë për të garantuar qasjen e SHBA-së në një vaksinë – pa marrë parasysh se kush është i pari që e zhvillon atë” shkroi Bera.

“Kjo qasje e vetme e lë Amerikën në rrezik për të mos poseduar një vaksinë”, tha ai.

Vendimi i administratës, i shoqëruar me tërheqjen e SHBA-së nga OBSH-ja, do të thotë se SHBA-ja po heq dorë nga udhëheqja globale në luftën kundër pandemive, tha Tom Hart, drejtori për Amerikën e Veriut në “The ONE Campaign”, një organizatë avokimi.

“Jo vetëm që kjo lëvizje vë në rrezik jetën e miliona njerëzve në të gjithë botën, por mund të izolojë plotësisht amerikanët nga një vaksinë efektive kundër COVID-19”, tha Hart.

Dhjetëra vaksina kundër COVID-19 po testohen në botë.

Kompania AstraZeneca njoftoi të hënën se vaksina e saj kandidate ka hyrë në fazën e fundit të testimit në SHBA. Kompania me bazë në Angli tha se studimi do të përfshijë deri në 30.000 të rritur nga grupe të ndryshme racore, etnike dhe gjeografike.

Dy kompanitë kandidate të tjera filluan testimin përfundimtar këtë verë në dhjetëra mijëra njerëz në SHBA. Njëra u krijua nga Institutet Kombëtare të Shëndetit dhe prodhuar nga kompania Moderna Inc., dhe tjetra u zhvillua nga kompania Pfizer Inc. dhe BioNTech e Gjermanisë./Rel/

Related Articles

Back to top button
Close
Close