
Në disa komuna dhe vendbanime të Shkupit është shpallur epidemi nga ethet e Nilit Perëndimor, njoftoi Zlatko Arsienievski nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup.
Sipas tij, masat epidemiologjike përfshijnë komunat Kisella Voda, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe vendbanimet Draçevë, Përzhinë, Lisiçe e Poshtme, Kadino dhe Jurumleri.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se ethet e Nilit Perëndimor nuk përbëjnë një sëmundje të re dhe se raste të saj janë evidentuar edhe gjatë viteve të mëparshme. Megjithatë, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, këtë vit është vlerësuar se nevojitet një reagim më i fuqishëm institucional.
“Po e informojmë publikun në kohë dhe në mënyrë transparente për situatën me ethet e Nilit Perëndimor. Kjo nuk është një sëmundje e re; ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, u paraqit nevoja për një reagim më të fuqishëm institucional”, theksoi Andovski.
Ai shtoi se situata po monitorohet në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive, me qëllim identifikimin dhe trajtimin në kohë të rasteve, si dhe parandalimin e rasteve të reja.
Nga Ministria e Shëndetësisë u bëjnë thirrje qytetarëve të mos kenë panik, por të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi. Rekomandohet përdorimi i masave mbrojtëse ndaj pickimeve të mushkonjave, përfshirë veshjen e rrobave të përshtatshme dhe shmangien e vendeve ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.
Ministria e Shëndetësisë njofton se do të vazhdojë ta informojë publikun në kohë dhe në mënyrë transparente për çdo ndryshim të rëndësishëm në situatën epidemiologjike lidhur me ethet e Nilit Perëndimor.



