
Shkëndija nga Tetova ka bërë një gjest për t’u vlerësuar.
Përfaqësuesja e vetme e Maqedonisë në garat evropiane ka siguruar që ndeshja e parë e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Hibernianit, e cila luhet më 6 gusht (e enjte) në Edinburg, me fillim nga ora 21:00, të transmetohet drejtpërdrejt në MRT 2, për kënaqësinë e publikut sportiv në vend.
Ajo që e bën këtë veprim të veçantë është fakti se vetë Shkëndija ka paguar të drejtat televizive, duke i mundësuar MRT 2 ta transmetojë ndeshjen nga Edinburgu.
“Po, është e vërtetë që Shkëndija, si klub, i pagoi të drejtat televizive dhe për këtë arsye do të ketë transmetim të drejtpërdrejtë nga Edinburgu në MRT 2.
Shkëndija e bëri këtë për t’u mundësuar të gjithë tifozëve të saj, si dhe gjithë opinionit sportiv dhe futbollistik në vend, të ndjekin paraqitjet evropiane të klubit tonë.
Natyrisht, shpresojmë që të gjithë të na mbështesin para ekraneve televizive, ndërsa Shkëndija edhe këtë herë do të përpiqet të arrijë një sukses të madh në arenën evropiane”, thuhet nga klubi i Shkëndijës.



