
Në një dhomë të mbushur me ekrane që përpunojnë të dhëna nga lartësia e orbitës, Shqipëria vërehet në çdo cep.
“Ky është direktoria ku menaxhohen dhe përpunohen imazhet satelitore të dy satelitëve Albania 1 dhe Albania 2”.
Që nga viti 2023, dy satelitët kanë prodhuar rreth 1100 imazhe të territorit shqiptar.
“Duke bërë një mozaik imazhesh, kemi arritur të krijojmë mbulim të Shqipërisë me imazhe satelitore për dy vite radhazi, pra i gjithë territori është mbuluar për vitin 2023 dhe 2024”, tha Dritan Prifti.
Pamjet satelitore kanë luajtur një rol kyç në monitorimin e emergjencave natyrore.
“Ky është rasti i zjarrit të rënë vitin e kaluar në Gjadër të Lezhës. Duke analizuar pamjet satelitore para dhe pas, kemi mundur të identifikojmë pasojat e kësaj ngjarjeje.

“Imazhet e prodhuara nga satelitët kanë pasur ndikim edhe në menaxhimin e burimeve ujore, urbanistikën apo sektorë si bujqësia dhe turizmi, si në rastin e identifikimit të parcelave të plazhit”, tha Dritan Prifti.
Në një imazh tjetër vërehet fenomeni i tërheqjes së detit.
Një nga zhvillimet novatore është përdorimi i inteligjencës artificiale për të identifikuar automatikisht të gjitha serat në Shqipëri. Po punohet për aplikimin e kësaj metode në monitorimin e parcelave që përdoren për kultivimin e kanabisit.
“Nëpërmjet monitorimit satelitor të territorit, Shqipëria monitoron dhe mbron territorin e saj, ndërkohë që gjeneron të dhëna për fenomenet dhe kërkime shkencore më të thelluara”, tha Dritan Prifti.



