LajmeRajon

Sanksionet amerikane për Veselinoviqin & Co: Përplasjet rreth takimit Haradinaj – Radojçiq deri te historia e ‘qebes së Kurtit’

Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 persona të tjerë, të gjithë serbë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dje, më 8 dhjetor. Pas këtij vendimi të Amerikës, në Kosovë dhe më gjerë kanë shpërthyer reagimet, ku në Kosovë u mirëprit një lajm i tillë. Mes reagimesh – shpërthyen edhe akuzat mes pozitës dhe opozitës, për takimin e Haradinajt me Radojçiqin dhe rastin e ‘qebes së Kurtit’…

Ajo që ra në sy në reagimin e kryeministrit Albin Kurti, ishte se nuk e përmendi Milan Radojçiqin.

“Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”, shkroi veç tjerash kryeministri Kurti në mesazhin e tij publikuar mbrëmë në Facebook, përcjell Periskopi.

Gazetarë e analistë, e vërejtën mungesën e emrit të Radojçiqit në mesazhin e Kurtit. Parim Olluri, ironizoi me këtë mungesë duke thënë se ‘ndoshta kryeministri po tutej që Millani, nënkryetari i Listës Srpska do të nxjerrte telashe në Qeveri’.

“Po tutesh qe Millani, nenkryetari i Lista Srpska, po te nxjerre telashe ne Qeveri a?  Permende kryeminister. Mos u tut! Se neve popullin na ki mbrapa”, do të shkruante Olluri.

Përplasja pozitë – opozitë

Në reagimet lidhur me vendimin amerikan për Veselinoviqin dhe Radojçiqin me shokë, pati edhe përplasje mes pushtetit dhe opozitës.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në reagimin e saj e quajti ‘lajm jashtëzakonisht të mirë sanksionimin e grupeve kriminale në veri’, por tha se ‘këto grupe kriminale hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më të larta”.

“Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës”, shkroi ministrja Haxhiu përcjell Periskopi.

Znj.Haxhiu, iu referua një takimi të Ramush Haradinajt në kohën sa ishte kryeministër me Milan Radojçiqin.

E ndaj këtij reagimi, i ashpër ishte ish-ministri i Drejtësisë, zyrtari i AAK-së, Selim Selimi:

“Sot paskan folur ata që janë politikan me korrespodencë. Në zyret e KM Haradinaj janë pritur haptas ata që kanë mbajtur funksione në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përderisa KM i tashëm është takuar me kriminelë serb në një veturë i mbuluar me qebe e ka kohabituar me po të njëjtit, ne kemi takuar çdonjërin që ju ka nënshtruar ligjeve të Republikës”, tha Selimi.

Çka është ‘historia e qebes’?

Historia e ‘qebes’ (batanijes), nisi në vitin 2012.  Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së,  i njohur si Kamishi i kishte dërguar një letër Florin Krasniqit, asokohe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në cilësinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Kjo letër më pas ishte bërë publike.

Në këtë letër përmendet edhe Lidija Sokoloviq, vajza e Zoran Sokoloviqit, ish ministër i Punëve të Brendshme në kohën e Millosheviqit. Letra e Bekim Haxhiut, thoshte ‘ngriste pretendimet për bashkëpunimin e Kurtit me qarte të dyshimta serbe’ (sic aportohej në atë kohë).

Në dokumentin e Bekim Haxhiut ndër të tjera thuhet se: ‘Albin Kurti në muajin janar të 2004-s ka mbajtur takim me strukturat kriminale të Serbisë. Takimi është mbajtur në fshatin Binxhë, Komuna e Klinës, në shtëpinë e familjes Donçiq (Boban e Golub Donçiq), që të dy pjesëtarë të strukturave kriminale të Serbisë – Boban Donçiq, kapiten i ushtrisë së Serbisë, ndërsa Golub Donçiq, pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (BIA).

“Albin Kurti ishte i mbuluar me batanie. Takimi është mbajtur në shtëpinë e vallezërve Donçiq, ku ishte i pranishëm edhe Misha Villotiq, person në hierarki të lartë në sigurimin shtetëror serb BIA. Në takim ishte edhe Boban Donçiq, kapiten i Ushtrisë Serbe. Albin Kurti ta sqarojë qëllimin e këtij takimi”, theksonte letra e Bekim Haxhiut.

Akuzat për ‘qeben’ i përmendi edhe në këtë vit, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.

Deputetja Kadrijaj para pak ditësh ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se pse siç tha ajo, policia e Kosovës e kishte zënë në makinë me kriminelë serbë në janarin e vitit 2004. Kadrijaj thotë se ka dokument që e dëshmon se Kurti ishte në atë makinë.

“Ne mundemi me bo opozitarizmin edhe në forma të tjera sepse kjo qeveri ka dështime të njëpasnjëshme. Nuk është qeveria që ka bërë punë të mira që me mujt me u marrë me këtë dhe unë kam kërkuar këtë nga z.Kurti. Kjo është një mundësi që z.Kurti me shpjeguar para opinionit të gjerë, para deputetëve se si ka rrjedh ajo ngjarje”, thotë Kadrijaj.

“Unë përveç asaj që është publikuar e kam edhe një dokument tjetër që është e vulosur, është e protokolluar. Është dokument zyrtar i policisë dhe ne i posedojmë ato fakte dhe ne kemi forma të ndryshme për të denigruar. Nëse e krahasojmë opozitarizmin tonë tash me opozitarizmin që e ka bo VV’ja, opinioni e ka kuptuar që ne të paktën po bëjmë një opozitarizëm të modernizuar dhe jo një opozitarizëm të juaj”, theksoi ajo në RTK.

“Le ta sqaroj Kurti. Pyetja i është drejtuar Albin Kurtit. Pse nuk del para opinionit me sqaruar ku ka qenë në janar të vitit 2004? Pse u gjend në automobil kur u ndal prej policisë së Kosovës, pse është gjet me struktura kriminale të Serbisë? Pse ka qenë në veturë me ta?”, pyet ajo.

“Nuk ka qenë luftë, s’ka qenë para lufte që me thënë se ka qenë i detyruar. Ka qenë pas lufte sepse ka qenë viti 2004. Ja ta sqarojë. Edhe për mua është mirë që kryeministri i vendit tim me sqaruar këtë dhe me thënë se s’ka ndodh ajo. Por këtu është një fakt dhe ai duhet me sqaruar pse u gjend në veturë kur është ndal prej policisë, bashkë me forcat serbe”, tha deputetja.

Sanksionet amerikane për Veselinoviqin, Radojçiqin dhe 11 persona të tjerë, serbë të Kosovës, janë mirëpritur nga Presidentja, opozita, e madje edhe zyrtarë të lartë evropianë./Periskopi/

Related Articles

Back to top button
Close
Close