
Autoritetet rumune kanë arrestuar gjashtë persona në një seri bastisjesh të enjten më 06.03.2025 me dyshimin për tradhti- një akuzë e pashembullt në kuadër të një hetimi më të gjerë të lidhur me dëbimin e atasheut ushtarak rus dhe zëvendësit të tij të mërkurën, ka raportuar televizioni informativ Euronews.
Shërbimi kombëtar i inteligjencës së Rumanisë, SRI, ka bërë të ditur në një komunikatë se një aksion i përbashkët i shumë agjencive të sundimit të rendit është ndërmarrë, duke arrestuar një grup personash të cilët kishin organizuar në grup paramilitar më 2023 dhe që “kishin kryer aktivitete kundër rendit kushtetues të Rumanisë”.
Gjashtë të arrestuarit dyshohen për “veprime subversive të nxitjes së ndikimit jetën politike dhe shoqërore të vendit”, thuhet në deklaratë.
SRI-ja ka bërë të ditur gjithashtu se grupi siguruar aktivisht mbështetje nga “zyrtarët e Ambasadës së Federatës Ruse” në Bukuresht.
Në kuadër të njëjtave hetime, ishte marrë edhe vendimi që diplomatët rusë të shpalleshin persona të padëshiruar në Rumani prej Ministrisë së Jashtme.
“Dy diplomatët rusë kanë bërë mbledhje të informacioneve të inteligjencës nga zona strategjike dhe kanë kryer aktivitetet që të mbështesnin veprimet e grupit anti-kushtetues”, thuhet në deklaratën e shkruar.
Burime brenda “Euronews Romania” kanë bërë të ditur se qëllimi i grupit ishte rrëzimi i institucioneve rumune, mbyllja e partive politike dhe nxitja që Rumania të dilte nga NATO.
Anëtarët e grupit kishin vizituar edhe Moskën dhe kishin pasur kontakte të vazhdueshme me agjentë të huaj në Rumani dhe në Rusi, kanë thënë burimet.
Kremlini ka bërë të ditur të mërkurën se do të dalë me “kundërpërgjigje të përshtatshme” për dëbimin e diplomatëve të tij nga Rumania, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, Tass, duke cituar Ministrinë e Jashtme.



