LajmeMaqedoniTopLajm

Rritet euro-skepticizmi tek qytetarët e Maqedonisë së Veriut

Euro-skepticizmi i qytetarëve në nëntor të vitit të kaluar shënoi një rritje prej 3%, krahasuar me vitin 2019. 22% e qytetarëve nuk e mbështesin euro-integrimin e vendit, në mesin e të cilëve rreth 1/3 e të rinjve të moshës 18-29 vjeçare nga të gjitha bashkësitë etnike. Veçanërisht euro-skepticizmi është rritur për 7% edhe tek shqiptarët, ndonëse mbështetja mbetet ende e lartë, 80%. Autorët e studimit fajësojnë kreatorët e opinionit publik për pritjet joobjektive të qytetarëve lidhur me procesin integrues.

“Ja edhe një tregues për informimin e pamjaftueshëm të popullatës rreth dinamikës kohore të procesit të anëtarësimit. Thuajse gjysma e popullsisë mendon se shteti do të bëhej anëtare e BE-së në 3 apo 5 vitet e ardhshme, që është larg çdo vlerësimi realist. 91% e simpatizantëve të LSDM-së mendojnë se shteti është i përgatitur për anëtarësim, nga ana tjetër 65% e simpatizantëve të VMRO DPMNE-së mendojnë se vendi nuk është i përgatitur”, tha Ivan Damjanovski, profesor.

“Menaxhoni pritjet e opinionit në mënyrë reale. Mos premtoni gjithçka. Premtoni diçka që është në kornizë të realitetit, sepse nëse rriten pritjet dhe vazhdimisht shohim zvarritje, kjo do ta rrisë euro-skepticizmin dhe zhgënjimin”, pohoi Ivan Nikollovski, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”

Për mos-fillimin e negociatave me BE-në, 53% e qytetarëve fajësojnë shtetet fqinje. 63% e qytetarëve nuk kanë pritur ndihmë nga Greqia, ndërsa 73,8% nuk kanë pritur ndihmë nga Bullgaria.

“84,3% e maqedonasve kanë qenë skeptik për mbështetjen nga Bullgaria, ndërsa rreth gjysma e shqiptarëve besonin se fqinji lindor do të ndihmojë”, theksoi Mari Jelenka Kirher, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Për 38,7% të qytetarëve integrimi në Unionin Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia, është alternativë e integrimit në BE. Është shënuar rritje prej 12% krahasuar me vitin 2019, kur këtë alternativë e mbështesnin 25,8%.  Anketa e Institutit për Demokraci “Societas Civilis” dhe Fondacioni “Konrad Adenauer” është realizuar në kohën kur vetoja bullgare nuk ishte vendimtare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close