
Tensionet në Izrael janë përshkallëzuar pas përplasjeve të dhunshme në qytetin ultraortodoks Bnei Brak, pranë Tel Avivit, dhe paralelisht me vendime të reja të qeverisë për Bregun Perëndimor, që palestinezët i konsiderojnë si hapa drejt aneksimit de facto.
Dy ushtare izraelite janë detyruar të fshihen në kazanë mbeturinash pasi u ndoqën nga një turmë ultraortodoksësh (haredim) në Bnei Brak. Njëra prej tyre tregoi se kishte veshur fund nga frika se si mund të përfundonte situata, pasi fanatikët nuk pranojnë gratë me pantallona apo në uniformë ushtarake.
Sipas dëshmive, haredimët reagojnë ndaj çdo pranie të uniformave në këtë qytet, ku ata janë shumicë dhe sillen sikur zona të ishte jashtë ligjit të shtetit.
Policia ndërhyri për të evakuuar dy ushtaret, të cilat i përkasin sektorit arsimor të ushtrisë dhe ndodheshin aty për të vizituar një koleg. Pamjet video tregojnë qindra ultraortodoksë që tentojnë të rrethojnë forcat e rendit dhe i vënë flakën një makine policie. U desh ndërhyrja e njësive policore, ndërsa përplasjet vazhduan gjatë natës. Bilanci: 22 persona të arrestuar.
Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se “është kaluar një vijë e kuqe” dhe kërkoi ndëshkimin e autorëve, por theksoi se bëhet fjalë për një pakicë ekstremistësh që nuk përfaqësojnë gjithë komunitetin ultraortodoks. Megjithatë, koalicioni i tij qeveritar mbështetet pikërisht te partitë fetare, të cilat po ushtrojnë presion për miratimin e një ligji që përjashton nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak të rinjtë që studiojnë në shkollat fetare.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Eyal Zamir, deklaroi se është e papranueshme që ushtarët izraelitë, burra dhe gra, të mos mund të lëvizin lirshëm në vend. Ai ka muaj që argumenton se lufta dyvjeçare në Gaza ka treguar nevojën për integrimin e ultraortodoksëve në ushtri, për të rritur numrin e efektivëve.
Ndërkohë, Netanyahu ka hyrë në fushatë elektorale për zgjedhjet e parashikuara deri në vjeshtë. Nga njëra anë ai kërkon të mos humbasë mbështetjen e aleatëve fetarë, nga ana tjetër po promovon iniciativa qeveritare që, sipas ministrit të Financave dhe liderit të kolonëve Bezalel Smotrich, po “vrasin idenë e një shteti palestinez”.
Qeveria ka miratuar së fundmi një fond prej rreth 700 mijë eurosh për regjistrimin e tokave në Zonën C të Bregut Perëndimor, zonë që ndodhet nën kontroll të plotë izraelit sipas Marrëveshjeve të Oslos. Kjo është hera e parë që një regjistër i tillë administrativ do të zbatohej që nga viti 1967, kur këto territore u pushtuan nga Izraeli, dhe konsiderohet në kundërshtim me marrëveshjet e paqes dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas palestinezëve, ky është një tjetër hap drejt “aneksimit de facto”.
Vetëm një javë më parë, koalicioni i ekstremit të djathtë kishte miratuar norma të tjera për zgjerimin e sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor. “Po vazhdojmë revolucionin e kolonive”, deklaroi Smotrich. Shtëpia e Bardhë reagoi duke ritheksuar se presidenti amerikan Donald Trump është kundër aneksimit.
/tvklan.al



