LajmeRajonTopLajm

Rrëfimi i tmerrshëm i plakut që pa gjithçka në Reçak: Një personi ia prenë kokën!

Kosova ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës së Reçakut, që ndodhi më 15 janar të vitit 1999, ku vranë e u masakruan mbi 42 civil shqiptarë, në mesin e tyre edhe 9 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përpjekje për t`i mbrojtur civilët e pafajshëm.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Ish shefi i misionit verifikues të OSBE në Kosovë, Ulliam Uallker, ngjarjen e 15 janarit në Reçak e kishte cilësuar si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Kjo deklaratë i parapriu fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe, që zgjatën 78 ditë.

Salih Maqedonci, anëtari vendor i Misionit Diplomatik i SHBA-ve në Kosovë dhe ndërkohë i OSBE-së në cilësinë e përkthyesit e më vonë ndihmës i shefit ndërlidhës dhe mbikëqyrës i Ekipit të përkthyesve në Shtabin e Qendrës Rajonal 5, thotë se atë ditë ishte me shefin e misionit ditor-majorin Brad Scot dhe me Eduard Sullivan.

“Më 15 janar 1999 që nga ora 08:00 ishim në Kodrën e Gështenjave. Rreth 200 metra larg nesh ishte një tank i forcave policore serbe dhe një tank tjetër ishte i vendosur në Pishat e Shtimes, pandërprerë granatonin fshatin e Reçakut dhe fshatin e Mollopolcit. Ky granatim vazhdoi deri në orën 18:00. Nga ana e maleve të fshatit Petrovë kishte kundërpërgjigje të forcave të UÇK-së por me armatim të lehtë”, thotë Maqedonci.

Ai thekson se derisa këto fshatra po granatoheshin nga policia serbe, shefi i misionit ditor-zoti Brad Scot e informonte Qendrën e OSBE-së në Prishtinë për çdo 10 minuta.

“Pastaj vazhduam për në Reçak, ishte mbrëmje, rrymë nuk kishte, dëgjohej piskamë e grave, fëmijëve dhe të të gjithë fshatarëve-ishte vërtet lemeri e tmerrshme. Pamë se një fshatari policia ia kishte prerë kokën dhe vëllai i viktimës po qëndronte i shtanguar pranë tij. Një tjetër fshatar i cili kishte ardhur nga Zvicra për të vizituar familjen e vetë, po mbante në dorë copat e kafkës së vëllait të vetë. Shumë viktima të tjera ishin të shtrira nëpër oborret e shtëpive të tyre”, thekson ai.

Maqedonci pohon se në veturat e tyre zyrtare i morën me veti dhe i dërguan në Spitalin e Prishtinës personat të cilët ishin të plagosur: Makviret Hajrizi, e lindur më 13.10.1962 në Reçak, Elhami Latifi, fëmijë nëntëvjeçar i lindur në Reçak, Hasan Bilalli, i lindur më 1936 në Reçak, dhe Zyhra Beqiri, e lindur më 1953 në Reçak.

“Më 16 janar 1999, rreth orës 07:00 arritëm në Reçak, përsëri me majorin Brad Scot, por kishin ardhur edhe shumë zyrtarë të lartë të OSBE-së dhe shumë gazetarë nga mbarë bota. Kësaj radhe i erdhëm rreth e rrotull Reçakut dhe mësuam se kishte 42 viktima civilë të masakruar dhe nëntë ushtarë të UÇK-së. Tani, së bashku me Ambasadorin Ualker i vizituam përsëri viktimat e masakruara”, thotë ai.

Maqedonci thekson se gazetarët e panë atë skenë të tmerrshme dhe më në fund iu drejtuan Ambasadorit Ualker me të vetmen pyetje: “Zoti Ambasador, çka mund t’ na thoni për këtë skenë të trishtueshme? “Përgjigja e Ambasadorit ishte: ”Ky është krim kundër njerëzimit”, shprehet Maqedonci

“Shprehja e Ambasadorit haptas, në mbrojtje të së vërtetës, duke rrezikuar madje edhe vetveten, do të mbetet përherë e gjallë në kujtesën e këtij populli. Deklarata e tij para gazetarëve, ishte humane dhe korrekte. Sikur Ambasadori të përgjigjej në mënyrë diplomatike, se kjo çështje do të shqyrtohej dhe ndërkohë do të informohej opinioni, mendoj se sot, jo që vetëm nuk do ta gëzonim lirinë-pavarësinë, por është pikëpyetje e madhe se sa shqiptarë do të kishin mbijetuar dhe sa shqiptarë do të kishte sot Kosova”, thotë Maqedonci.

Related Articles

Back to top button
Close
Close