
78% e shqiptarëve ndjekin futbollin, duke e renditur Shqipërinë të parën në Evropë sipas një analize në 52 federata të kryer nga UEFA në bashkëpunim me FSHF. Sipas statistikave të raportit, 41% e fëmijëve merren me futboll, ndërsa rritje ka pësuar edhe futbolli i femrave.
Futbolli mbetet sporti më i ndjekur në Shqipëri, me një shifër prej 78% të popullsisë që deklaron se e ndjek këtë sport. Sipas të dhënave, nga raporti i “UEFA Groë Market Research”, dhe agjencia prestigjioze Nielsen, Shqipëria rezulton me përqindjen më të lartë të ndjekjes së futbollit në kontinent, duke reflektuar një lidhje të fortë të publikut me këtë disiplinë sportive.
Sipas raportit, një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë shifër është përvoja në stadiume, ku shumica e tyre shprehen se e shijojnë atmosferën dhe emocionin e ndeshjeve.
Presidenti i FSHF, Armand Duka, e vlerëson maksimalisht këtë raport, por shprehet se këto shifra e obligojnë federatën të punojë edhe më shumë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes në futboll, nga 18% në vitin 2016 në 34% aktualisht. Futbolli mbizotëron edhe te fëmijët. 41% e tyre janë të angazhuar me futbollin, një shifër më e lartë se çdo disiplinë tjetër sportive.
Në aspektin gjinor, futbolli renditet si sporti i dytë më i ndjekur nga femrat në Shqipëri, me një rritje të ndjeshme prej katërfishimi të interesit në krahasim me vitet e mëparshme. Sporti i parë për femrat mbetet volejbolli. Ndryshe nga trendi europian, në Shqipëri vërehet një interes më i madh i femrave për futbollin.
Në nivel institucional, Federata Shqiptare e Futbollit vlerësohet me një imazh shumë pozitiv në vend, duke rezultuar me një perceptim më të lartë se mesatarja evropiane për federatat sportive. Sipas analizës, ky vlerësim lidhet kryesisht me menaxhimin e mirë dhe zhvillimin e projekteve të qëndrueshme në futboll.



