LajmeMaqedoniTopLajm

Rexhepi: Zëri i qytetarëve nuk shuhet me thashetheme, por dëgjohet me respekt

Kryetari i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër përmes një postimi publik, duke përgënjeshtruar deklaratat e Ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, lidhur me pretendimet për incidente të mundshme në marshin protestues të ditës së sotme.

JA POSTIMI I PLOTË:

Të nderuar qytetarë,

Marshi protestues i ditës së sotme është dhe do të jetë një shprehje e qetë dhe demokratike e pakënaqësisë dhe revoltës qytetare.

Me shqetësim kemi përcjellë deklaratat publike të Ministrit të Ekonomisë, i cili pretendon se disponon informacione për grupe që synojnë të shkaktojnë incidente gjatë protestës paqësore në Tetovë.

Nëse një ministër i Qeverisë vërtet disponon informacione të tilla, atëherë ai ka një detyrim ligjor, institucional dhe moral: t’i paraqesë ato menjëherë pranë organeve kompetente, bashkë me çdo indicie, provë apo informacion që ka në dispozicion.

Siguria publike nuk mbrohet me statuse në rrjetet sociale, por me veprim institucional.

Nëse informacionet ekzistojnë, ato duhet t’i dorëzohen Policisë dhe Prokurorisë, që të na mundësohet të ushtrojmë të drejtën tonë të protestës pa pengesa.

Meqë deklarata të tilla bëhen pa prova dhe pa u përcjellë tek institucionet kompetente, atëherë lind pyetja legjitime: cili është qëllimi? Të informohet opinioni apo të krijohet frikë? Të mbrohet rendi publik apo të dekurajohet pjesëmarrja në një protestë qytetare dhe paqësore?

Protesta jonë është shpallur qartë si marsh paqësor. Ne presim pjesëmarrjen e grave, të moshuarve, të rinjve dhe fëmijëve.

Për fat të keq, në vend që të sillet si ministër dhe të veprojë në bazë të ligjit, në vend që, si qytetar i Tetovës, të na bashkëngjitet në mbrojtje të identitetit dhe historisë sonë, z. ministër ka zgjedhur të merret me thashetheme dhe akuza qesharake në rrjetet sociale.

I bëjmë thirrje të qaset me seriozitetin që kërkon funksioni i një ministri.

Çdokush që do të tentojë të destabilizojë apo të prishë rendin dhe qetësinë publike do të identifikohet dhe paraqitet te organet e rendit dhe sigurisë.

Ne do të marshojmë me qetësi, me dinjitet dhe me përgjegjësi.

Zëri i qytetarëve nuk shuhet me thashetheme, por dëgjohet me respekt”, reagoi Rexhepi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close