BotaLajmeTopLajm

Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve mbi COVID-19/ Senati amerikan rekomandon shkarkimin e Anthony Faucit

Një komision i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët, votoi për ta shpallur ish-drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci, fajtor për shpërfillje të Kongresit. Vendimi erdhi pasi Fauci, duke u mbështetur në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, refuzoi t’u përgjigjej më shumë se 100 pyetjeve gjatë një seance dëgjimore lidhur me hetimet për origjinën e pandemisë COVID-19.

Nisma u udhëhoq nga senatori republikan Rand Paul, i cili synon ta referojë çështjen në Departamentin e Drejtësisë për procedura penale. Megjithatë, për të avancuar më tej procesi, vendimi duhet të kalojë edhe në Senatin e plotë. Demokratët e komitetit e kundërshtuan votimin, duke e cilësuar hetimin të nxituar dhe me motive politike.

Paul e ka akuzuar prej vitesh Faucin se ka mashtruar publikun për pandeminë dhe së fundmi publikoi pjesë nga ditari i tij privat. Sipas raportimeve, këto fragmente nuk ofrojnë prova për origjinën e COVID-19, por pasqyrojnë shqetësimet e Fauci-t gjatë pandemisë, marrëdhënien e tij të tensionuar me Rand Paul dhe përplasjet që pati edhe me ish-presidentin Donald Trump, të cilin e këshillonte në atë periudhë.

Fauci drejtoi institutin për 38 vjet dhe ishte figura kryesore e përgjigjes amerikane ndaj pandemisë, duke mbështetur masat si izolimet, maskat, distancimin social dhe vaksinimin, të cilat bazoheshin në provat shkencore të kohës. Në janar 2025 ai mori një falje paraprake nga presidenti i atëhershëm Joe Biden për veprimet që lidhen me menaxhimin e pandemisë, por kjo nuk përfshin veprimet e mëvonshme, si refuzimi për të dëshmuar para komisionit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close