
Real Madrid ka konfirmuar se Kylian Mbappe ka pësuar një lëndim, i cili mund ta lërë jashtë për pjesën e mbetur të sezonit.
Sulmuesi francez u detyrua të largohet nga fusha dhjetë minuta para fundit në barazimin 1-1 ndaj Real Betis, pasi ndjeu dhimbje në gju. Ai u zëvendësua në minutën e 81-të, duke shtuar shqetësimet për gjendjen e tij fizike, sidomos me garat e rëndësishme që afrohen.
Pas ekzaminimeve mjekësore, klubi madrilen konfirmoi diagnozën.
“Pas testeve të kryera sot nga shërbimet mjekësore të Real Madridit, lojtari ynë Kylian Mbappe është diagnostikuar me një lëndim në muskulin semitendinosus të këmbës së majtë. Po pritet evoluimi i gjendjes së tij”, thuhet në njoftimin e klubit madrilen.
Pas ndeshjes, trajneri Alvaro Arbeloa foli për situatën e lojtarit.
“Nuk kam ide të saktë se çfarë ka Mbappe. Ai ndjeu një shqetësim dhe do të shohim si do të evoluojë në ditët në vijim”, ka thënë Arbeloa.



