LajmeMaqedoniOpinion

Reagim: Nga “ekspert” në mbrojtës të kufizimit të të drejtave- rasti i Jeton Shasivarit

Reagim: Nga “ekspert” në mbrojtës të kufizimit të të drejtave- rasti i Jeton Shasivarit

Shkrimi i Jeton Shasivari nuk është thjesht një “recension profesional” – është një akt i hapur i rreshtimit politik në mbrojtje të një narrative që dëmton drejtpërdrejt të drejtat e studentëve shqiptarë. Në vend që të përdorë autoritetin akademik për të mbrojtur parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, ai zgjedh të relativizojë një problem thelbësor dhe të zbusë qëndrimet e Gordana Siljanovska-Davkovës, e njohur për qasje që shpesh janë perceptuar si kundër avancimit real të shqiptarëve. Profesori universitar, duke tentuar ta interpretojë Presidenten Siljanovska, kontribuon në krijimin e konfuzionit juridik dhe në relativizimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.

Të pretendosh se Presidentja “nuk është kundër gjuhës shqipe” ndërkohë që praktikisht kundërshtohet dhënia e provimit në shqip, është një manipulim i pastër logjik. Dhe pikërisht këtë manipulim e bën Shasivari, duke u përpjekur t’i japë një mbulesë “juridike” një qëndrimi që në thelb është përjashtues.

Por problemi nuk ndalet këtu. Ajo që bie në sy është toni i nënshtruar dhe justifikues i autorit, që më shumë i ngjan një avokati të pushtetit sesa një profesori universitar. Në vend të kritikës së argumentuar, kemi një tekst që mundohet të racionalizojë të paarsyeshmen – një formë e qartë vardisjeje ndaj pushtetit, e cila bie ndesh me integritetin akademik.

Poashtu, në vend që të mbrojë një të drejtë të qartë, ai zgjedh ta relativizojë problemin duke u fshehur pas nocioneve si “unitet i sistemit” dhe “rezerva strukturore” me të cilat nuk vendoset në funksion të analizës së mirëfilltë juridike, siç do të duhej dhe do t’i ngjasonte një profesori universitar shqiptar por vendoset në funksion të përpjekjeve për ta bërë të pranueshme një padrejtësi.

Argumentet për “unitetin e gjyqësorit” janë të tejkaluara dhe të përdorura si alibi. Një sistem juridik modern nuk frikësohet nga shumëgjuhësia – përkundrazi, e integron atë si standard demokratik. Të pretendosh se përdorimi i shqipes rrezikon cilësinë është jo vetëm i pavërtetë, por edhe denigrues për një brez të tërë juristësh shqiptarë që kanë dëshmuar profesionalizëm brenda dhe jashtë vendit.

Edhe më shqetësuese është mënyra se si Shasivari mundohet të “zbusë” referencat ndaj Marrëveshjes së Ohrit, duke e reduktuar atë në një çështje teknike përkthimi. Kjo është një keqinterpretim i qëllimshëm i një marrëveshjeje që ka në thelb barazinë reale dhe jo formale.

Edhe më problematik bëhet fakti ngase ky qëndrim vjen nga një profesor shqiptar, i cili, në vend që të artikulojë standardet e barazisë dhe të mosdiskriminimit, ai del në mbrojtje të një narrative që përputhet me qëndrimet e Gordana Siljanovska- Davkovës- qëndrime të formuluara me kujdes por që në praktikë prodhojnë moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Kjo nuk është hera e parë që emri i Shasivarit lidhet me iniciativa të tilla. Sipas burimeve politike, ai ka qenë pjesë e proceseve ku janë mbështetur propozime që kanë shkuar në dëm të avancimit të të drejtave të shqiptarëve, duke u rreshtuar përkrah figurave dhe qasjeve që publikisht janë perceptuar si qasje kundër të drejtave të shqiptarëve. Një model që duket se po përsëritet.

Në fund, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: kujt i shërben ky lloj “analize”? Studentëve që kërkojnë të drejtën e tyre legjitime, apo pushtetit që mundohet ta mbajë këtë të drejtë të kufizuar? Fatkeqësisht, përgjigjja është e qartë.

Dhe kur një profesor shqiptar zgjedh të jetë në anën e relativizimit të padrejtësisë, atëherë nuk kemi më vetëm një problem politik – kemi një problem serioz moral dhe profesional.

Related Articles

Back to top button
Close
Close