
Arkitektët do të mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projekteve, kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama, ndërsa mori pjesë në prezantimin e një start-up-i nga të rinjtë, për financimin e sektorit të ndërtimit.
“I jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do të përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë.”
“Do vendosim si kusht që kantierët të kenë kamera, do monitorohen 24 orë, do ju vlejë në ndjekjen e punës dhe praktikave tuaja dhe edhe të sigurisë. Po përfundojmë qendrën e monitorimit me dronë dhe do na japë mundësi të ndjekim në kohë reale zhvillimet në territor.”
Për ndërtuesit që shkelin lejet e ndërtimit, Rama paralajmëroi një “listë të zezë” dhe theksoi se masat do të jenë të ashpra deri në mosdhënien e lejeve.



