
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka deklaruar se një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare është rruga për formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Dehari ka rikujtuar se më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda afatit prej 30 ditësh, duke sqaruar se afati fillonte të rridhte nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25.
“Kjo nënkuptonte që sipas aktgjykimit KO124/25, Kuvendi do duhej të konstituohej më së largu me 26 korrik 2025”, ka thënë Dehari.
Ai ka theksuar se edhe pas përfundimit të këtij afati, Kuvendi nuk ishte konstituuar.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga GJK, pra deri me datën 26 korrik 2025”, është shprehur ai.
Dehari ka kritikuar qasjen e opozitës gjatë vitit të kaluar, duke thënë se thirrjeve për votimin e konstituimit u ishte përgjigjur me kërkesën për një marrëveshje politike.
“Sa herë që u kam bërë thirrje deputetëve të opozitës vitin e kaluar që të votonin për ta konstituuar Kuvendin e të mos tejkalohej afati kushtetues, përgjigja e tyre ka qenë se ‘nevojitet marrëveshje politike’”, ka deklaruar Dehari.
Sipas tij, në atë kohë tejkalimi i afatit nuk ishte ngritur si problem, ndërsa Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, kishte kërkuar vazhdimin e përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.
“Asnjëherë nuk ishte problematizuar tejkalimi i këtij afati. Kurse nga vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, u kërkohej palëve të vazhdonin tentativat për konstituim pavarësisht tejkalimit të afatit, sepse nevoja për ta konstituuar Kuvendin i mbivendoset afatit”, ka thënë ai.
Dehari ka rikujtuar gjithashtu se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, partitë opozitare e kishin precizuar kërkesën e tyre për një marrëveshje politike para formimit të institucioneve.
“Kërkesa e partive opozitare u precizua edhe më tej pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke insistuar që marrëveshja politike duhet të bëhet para formimit të institucioneve, përndryshe shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Dehari.
Ai ka vlerësuar se thirrja e vazhdueshme e seancave pa një marrëveshje politike nuk do të prodhonte zgjidhje.
“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, ka thënë ai.
Në fund, Dehari ka bërë të ditur se në momentin kur do të ketë sinjale për një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës konstituive do të ishte vetëm çështje formaliteti.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka deklaruar Dehari.



