
Nga dje qytetarët e Maqedonisë së Veriut masovikisht janë duke pranuar mesazhe SMS me të cilat informohen se ka ndryshim lidhur me dërgesat e supozuara që i kanë pranuar, transmeton Top24 nga Meta.mk.
“Pakoja XXX do ju nënshtrohet tatimeve doganore dhe pagesa duhet të kryhet në këtë link”, thuhet në vetëm një nga mesazhet që dje edhe sot i kanë pranuar një numër i madh i qytetarëve.
“Adresë e gabuar, artikujt do i kthehen dërguesit”, thuhet në një tjetër mesazh të pranuar nga qytetarët.
Kjo i hutoi edhe më shumë njerëzit që me të vërtetë janë duke pritur ndonjë dërgesë të caktuar nga jashtë, kështu që ata të mashtruar kanë klikuar në linkun në të cilin pastaj u kërkohej numër i kartelës bankare.
“Jam në pritje të një dërgese nga posta dhe me këtë u përputhën gjërat, më mashtruan dhe pagova 17 denarë. Ja çfarë ndodhi më pas, për fat nuk kisha aq para në kartelë. Pastaj e bllokova nga banka dhe nga atje më konfirmuan se kanë tentuar të më tërheqin 58.900 denarë”, tregon një qytetar në rrjetet sociale, duke prezantuar edhe një foto të tentativës së pasuksesshme për të tërhequr 1.000 dollarë amerikanë nga kartela e tij.
Inxhinieri i sigurisë kompjuterike, Bozhidar Spirovski, ishte i pari që paralajmëroi për këtë fenomen në rrjetin social “X”.
“Kujdes!” Po bëhet një fushatë mashtrimi nëpërmjet mesazheve SMS me faqe të rreme për dërgesa të pakove, menjëherë ua marrin numrin e kartelës tuaj dhe tentojnë të tërheqin shuma të mëdha. Nëse jeni në pritje të një dërgese, kontrolloni në faqen zyrtare, e jo nëpërmjet linkut. Shpërndajeni këtë informacion!”, ka shkruar ai.
Pak kohë më parë ishte pikërisht Spirovski që në emisionin “Shortcut” i cili transmetohet në Meta.mk foli pikërisht për sulmet fishing, të cilat shpesh realizohen nëpërmjet të mesazheve SMS.
Ai shpjegoi se e-mail-i është mënyra më e vjetër dhe më e thjeshtë për të transportuar një mesazh të caktuar deri tek personat e targetuar, por edhe se sot sulmuesit i parapëlqejnë kanalet e komunikimit të drejtpërdrejtë, pra dërgimin e mesazheve SMS, si dhe mesazheve në WhatsApp ose Viber, sepse pikërisht në këtë mënyrë mbrojtja e drejtpërdrejtë e qytetarëve është më e dobët.
“Kur dy ose më shumë përdorues do e shënojnë atë si spam, si fishing, atëherë edhe sistemet e serverëve fillojnë ta dallojnë dhe i fshijnë mesazhet e tjera. Befas, sistemi fillon ta mbrojë përdoruesin. Ngjashëm ndodh edhe në rrjetet sociale, nëse dhjetë persona e raportojnë apo e bllokojnë si sulmues”, shpjegoi Spirovski mundësinë e mbrojtjes nga sulmet fishing në e-mail apo në rrjetet sociale.Top24



