
Qeveria, në seancën e sotme, miratoi vendimin për zgjatjen e afatit të gjendjes së krizës për shkak të rrezikut të mundshëm në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Gjendja e krizës zgjatet nga 21 korriku deri më 21 tetor.
Me këtë vendim sigurohet gatishmëri e institucioneve për reagim të shpejtë në rast të ndryshimeve të papritura të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, garantohen rrjedha e pandërprerë e energjensave në vend dhe zbuten pasojat e mundshme negative ndaj buxhetit të qytetarëve dhe ekonomisë vendase.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet:
“Qëllimi i këtij vendimi është që Qeveria të disponojë me mekanizëm të duhur juridik për reagim të shpejtë dhe efikas, me synim ruajtjen e stabilitetit të furnizimit, zbutjen e pasojave nga çrregullimet e mundshme të tregut dhe mbrojtjen e interesave dhe standardit të jetesës së qytetarëve dhe ekonomisë.”
Qeveria njofton se do të vazhdojë të ndjekë të gjitha lëvizjet në tregun energjetik vendor dhe ndërkombëtar, me qëllim ndërmarrjen në kohë të masave të reja mbrojtëse, nëse këtë e kërkojnë rrethanat.
Propozimi për zgjatjen e gjendjes së krizës, pas harmonizimit të procedurave qeveritare, do t’i dërgohet Kuvendit, ku deputetët duhet ta shqyrtojnë dhe ta miratojnë zyrtarisht vendimin, në përputhje me kompetencat ligjore.
Dy ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, rikujtoi situatën e tensionuar në Gjirin Persik dhe theksoi se Qeveria e ka anticipuar këtë. Ai paralajmëroi se tashmë janë plotësuar kushtet që nga e hëna të ketë ulje të re të akcizës për benzinën pa plumb dhe për naftën.



