Qeveria e Albin Kurtit nuk ka paguar fondet financiare për avokatët mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale duke i detyruar ata që të tërhiqen. Pavarësisht kësaj sipas rregullores së gjykatës së Hagës deri kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë.
Më 29 janar, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu përmes një Udhëzimi Administrativ, ka thënë se po synon që të ndryshojë tarifat e mbrojtjes juridike për të akuzuarit në Hagë.
Në to parashihej rritje e vlerave, por që për avokatët shuma e propozuar nuk ishte në përputhje me inflacionin.
Ishte vetë kryeministri Kurti që pothuajse dy vite më parë ka zhvilluar një bisedë virtuale prej dy orësh me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Siç u tha asokohe në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit, Kurti propozoi që takimet e tilla të vazhdojnë e të jenë të rregullta.
Që nga nëntori i vitit 2020 Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Ndërkaq në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po vazhdojne dëshmitë jo publike.
Dëshmitari i rradhës ka folur lidhur me një vrasje të paligjshme të një viktime, e cila pretendohet se është bërë pas arrestimit dhe mbajtjes nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.



