
Pas mesazheve që u publikuan gjatë ditës mes Albin Kurtit, Dejona Mihalit, Nagip Krasniqit e Artane Rizvanollit, Paparaci ka publikuar biseda ë reja që dëshmojnë se si Dejona Mihali, një zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje, e komandonte ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, edhe kur korporata përballej me sfida jetike. Krasniqi i bindej udhëzimeve të saj, bazuar në këto biseda.
Dejona Mihali, një zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje, pa certifikatë të sigurisë nga institucionet, ka arritur qasje në informata të klasifikuara përmes kontrollit mbi Nagip Krasniqin, ish-kryeshefin e KEK-ut, të akuzuar për korrupsion.
Nagip Krasniqi i raportonte Koordinatores së Komiteteve në LVV për çështje jetike të sistemit elektro-energjetik. Edhe kur vihej në dyshim siguria e furnizimit me rrymë.
Komunikimi mes tyre ishte zhvilluar në platformën e komunikimit, WhatsApp, më 2 korrik të vitit 2022 dhe është pjesë e hetimeve penale ndaj Nagip Krasniqit
Gjatë bisedës, Krasniqi i raporton Mihalit për një informatë rreth dyshimeve për abuzimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH), në shkelje të marrëveshjes për shkëmbim të energjisë mes KEK dhe KESH.
Sipas informatës që i kishte mbërritur ish-kryeshefit të KEK-ut, KESH po abuzonte me energjinë elektrike të cilën e importonte nga KEK-u si shkëmbim gjatë muajve të verës – konkretisht në muajt qershor dhe korrik 2022.
Pasi e pranon dokumentin, Mihali nis ta marrë në pyetje Krasniqin.
“Çka është kjo”, e pyet Mihali, ish-kryeshefin e KEK-ut.



