
Nën moton “Liria ka emër”, mijëra shqiptarë nga ora 17:00 do të tubohen në Tiranë për protestë në mbështetje të liderëve të UÇK-së, të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Hagë. Dhjetëra autobusë me qytetarë, u nisën edhe nga Prishtina.
Qytetarë dhe veteranë të UÇK-së, thonë se çlirimtarët nuk mund të quhen kriminelë e të akuzohen për krime lufte.
“Po duhet t’ia hapim sytë këtij mileti dhe botës që ta dinë se ata njerëz po dënohen padrejtësisht po mbahen padrejtësisht. Krimineli dihet se kush është”, tha Vehbi Hajzeri – Sekretar i degës OVL-UÇK Prishtinë.
“Çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht dhe krejt populli shqiptarë e mbarë bota e dinë që UÇK nuk ka bërë krime e as nuk është kriminale. Kriminale është Serbia dhe bashkëpunëtorët e tyre”, u shpreh Rrahman Ramadani – Qytetar.
“Na e kanë marrë presidentin, na e kanë marrë kryeparlamentarin, njerëzit më të shenjtë që janë pa pikë faji dhe ne qëndrojmë me duar në xhepa. Kjo me padrejtësi nuk e di më si do shkojë”, tha Mehmet Bllaca – Qytetar.
“Çlirimtarët që po mbahen në Hagë po mbahen padrejtësisht. Ne mendojmë se kjo Gjykatë e cila ka devijuar nga akuza që pretendonte se ishte një “akuzë e drejtë” sipas Dik Martit, ajo Gjykatë duhet të mbyllet sa më përpara dhe të shpallet null sa i përket pasojave juridike”, tha Asllan Bajrami – Qytetar.
Autoritetet në Shqipëri kanë njoftuar se “Rruga e Kombit” do të jetë pa pagesë për qarkullim gjatë tërë ditës në shenjë solidarizimi me protestën.



