LajmeMaqedoniTopLajm

Propozimligji i ri nuk ofron garaci për një pëfaqësim të drejtë, përkundrazi dobëson pozitën e shqiptarëve

Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mënyra se si po trajtohet çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat me një propozimligj të papranueshëm që nuk i plotëson standardet e nevojshme dhe që edhe më tutje lejon keqpërdorimet dhe diskriminimin. Ky ligj nuk është thjesht një akt teknik, ai prek drejtpërdrejt parimet kushtetuese dhe pozitën institucionale të përfaqësimit të komuniteteve në veçanti të shqiptarëve.

Është e papranueshme që një çështje kaq delikate dhe e ndijshme të zgjidhet pa një debat real, pa marrë parasyshë propozimet e ekspertëve të fushës, dhe pa mekanizma efektivë zbatimi që mbrojnë interesat e shqiptarëve.

Në politikë ekzistojnë gabime politike që mund të korrigjohen me kalimin e kohës. Megjithatë, ka edhe faje politike, pasojat e tyre janë shumë më të vështira për t’u riparuar.

Edhe VMRO-DPMNE-ja është e vetëdijshme se ky ligj duhet patjetër të miratohet. Nëse jo sot, atëherë nesër, gjatë procesit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve 23 dhe 24, shteti nuk do të mund t’i shmanget detyrimit për të rregulluar këtë çështje. Pikërisht për këtë arsye, atyre u konvenon një version i tillë i ligjit, sepse e sigurojnë paraprakisht një zgjidhje që përputhet me interesat e tyre nënvizoi Halil Snopçe deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Një ligj i pranueshëm nuk është ai që kopjon praktikat problematike të dikujt tjetër, por ai që zbaton në mënyrë të sinqertë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Na shqetëson edhe pasiviteti dhe heshtja e VLEN-it në këtë proces. Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga qeveria, VLEN-i duket se ka qëndruar kryesisht spektator, duke lejuar që partnerët e tyre të koalicionit të formësojnë ligjin sipas interesave të tyre.

Kjo qasje e kalon kufirin e papërgjegjshmërisë, nuk mjafton të shprehet vetëm dakordësia me nevojën për një ligj, nevojitet që të gjithë të luajmë rol aktiv për të garantuar mekanizma zbatimi dhe kushte që nuk e dëmtojnë pozitën tonë.

Si subjekt politik, kërkojmë nga shumica dhe autorët e ligjit, të rishikojnë tekstin në mënyrë që të respektojë plotësisht parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.Të përfshijnë mekanizma të qarta dhe të detyrueshme zbatimi, me afate dhe masa korrigjuese.Të hapet proces ndaj konsultimeve me komunitetet përkatëse sidomos me shqiptarët dhe ekspertët kushtetues.

Në këtë mënyrë siç po veprohet aktualisht, fatkeqësisht, po shndërrohemi në spektatorë të dobësimit të pozitës sonë politike dhe institucionale, në vend që të jemi aktorë aktivë në proceset vendimmarrëse. Historia na ka mësuar se të drejtat nuk ruhen duke qëndruar mënjanë, por duke marrë pjesë aktivisht në proceset ku ato vendosen dhe garantohen.

Ne nuk do të pranojmë një rregullim që e zvogëlon zërin dhe të drejtat tona për hir të kompromisit politik. Do të qëndrojmë të angazhuar dhe do të kërkojmë zbatimin e standardeve që garanton një përfaqësim të drejtë dhe adekuat, me efekt konkret në praktikë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close