
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa dhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Barham Salih, diskutuan mënyrat për të mbështetur kthimin vullnetar dhe të sigurt të refugjatëve sirianë.
Sharaa u takua me Salih dhe delegacionin që e shoqëronte në Pallatin e Popullit në Damask, ndërsa në takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani, sipas një deklarate të Presidencës.
Në takim u diskutua për “mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës Arabe Siriane dhe Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët”, thuhet në deklaratë.
Palët diskutuan gjithashtu për “mbështetjen e përpjekjeve lidhur me kthimin vullnetar dhe të sigurt të refugjatëve, si dhe projektet për sigurimin e mjeteve të jetesës dhe rimëkëmbjen e hershme”, thuhet më tej.
Në janar 2025, Sharaa tha se priste që shumica e sirianëve që jetojnë jashtë vendit të ktheheshin në vend brenda dy vitesh, duke e vlerësuar numrin e tyre në rreth 15 milionë, pas luftës së ashpër të nisur nga regjimi i mëparshëm i Bashar Asadit gjatë revolucionit në vend ndërmjet viteve 2011 dhe 2024.
Asad, i cili drejtoi Sirinë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi më 8 dhjetor 2024, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath që kishte nisur në vitin 1963. Një administratë kalimtare e drejtuar nga Sharaa u formua në janar 2025.



