
Presidenti Joe Biden doli pozitiv në testin për Covid 19 përsëri të shtunën, pak më shumë se tre ditë pasi doli nga izolimi për shkak të koronavirusit, tha Shtëpia e Bardhë, në një rast të rrallë “riinfektimi” pas trajtimit me një ilaç antiviral.
Presidenti Biden shkroi në rrjetet sociale se doli sërish pozitiv, një gjë që ndodh rrallë.
Në përputhje me udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, presidenti Biden do të jetë në izolim për të paktën pesë ditë. Ai do të izolohet në Shtëpinë e Bardhë derisa të dalë negativ. Agjencia thotë se shumica e rasteve të rishfaqjes së infeksionit mbeten të lehta dhe se sëmurje të rënda gjatë asaj periudhe nuk janë raportuar.
Njoftimi se presidenti doli pozitiv, u bë vetëm dy orë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi një vizitë në Michigan këtë të martë për të nxjerrë në pah miratimin e një projektligji për të nxitur prodhimin vendas të teknologjisë së lartë. Presidenti Biden ishte planifikuar gjithashtu të vizitonte shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware, të dielën në mëngjes, ku zonja e parë Jill Biden ka qëndruar ndërsa presidenti ishte pozitiv. Të dy udhëtimet janë anuluar.
Presidenti Biden, 79 vjeç, u trajtua me ilaçin antiviral Paxlovid, pasi për herë të parë doli pozitiv në 21 korrik. Ai rezultoi negativ për virusin të martën dhe të mërkurën e kaluar. Më pas ai u lirua nga izolimi ndërsa mbante një maskë.



