
Polonia është e gatshme të presë armë bërthamore nëse NATO vendos t’i pozicionojë ato përballë Rusisë e cila vazhdimisht përforcon armatimet e saj në Bjellorusi dhe Kaliningrad, ka njoftuar presidenti polak, Andrzej Duda.
Polonia si një nga anëtaret e NATO-s dhe mbështetëset e Ukrainës, ndan një kufi si me enklavën e Kaliningradit të Rusisë, ashtu edhe me aleatin e Moskës, Bjellorusinë.
Kaliningradi u shkëput nga Moska kur Lituania u pavarësua gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
“Nëse aleatët tanë vendosin të pozicionojnë armë bërthamore në territorin tonë për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, ne jemi gati ta bëjmë këtë”, tha Duda.
Ndryshe, rreth vendosjes së armëve bërthamore Duda është deklaruar pas një vizite në New York ku zhvilloi takime në OKB dhe diskutoi me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për luftën në Ukrainë.



