LajmeMaqedoniTopLajm

Politika e ndërlikuar etnike e Maqedonisë së Veriut kërcënon regjistrimin e shumëvonuar të popullsisë

Operacioni i shumë rëndësishëm statistikor, i vendosur tani për muajin prill, të cilin Maqedonia e Veriut nuk ka arritur të kryejë që nga viti 2002, po merr përsëri një shije shqetësuese në aspektin politik dhe etnik.

Pas më shumë se 19 vitesh, Maqedonia e Veriut ka vendosur këtë pranverë të kryejë më në fund regjistrimin e saj të shumëvonuar të popullsisë.

I shtyrë fuqishëm nga qeveria e udhëhequr nga Social Demokratët, projektligji për regjistrimin është tashmë në parlament, ku ka të ngjarë ta marrë miratimin ndërsa  autoritetet thonë se gjithçka është vendosur që ky operacion të fillojë me 1 Prill.

Mirëpo qëndrimi sfidues opozitar  kundër regjistrimit dhe paralajmërimi i saj se nuk do t`i njohë rezultatet e saj të mundshme “të falsifikuara”, po e vë përsëri në dyshim të gjithë çështjen.

Ky qëndrim ngre mundësinë që përpjekja e fundit për regjistrimin e popullsisë dhe pronës së Maqedonisë së Veriut do të përfundojë në një fiasko tjetër.

Qeveria akuzon opozitën për pengimin e qëllimshëm të të gjithë procesit.

Opozita, nga ana e saj, akuzon Social Demokratët dhe partnerët e tyre të vegjël, shqiptarë etnikë, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, për komplot për të “falsifikuar” regjistrimin dhe të mashtrojnë politikisht me rezultatin e tij.

 

Pretendimi i tyre kryesor është se partitë në pushtet do ta fryjnë artificialisht numrin e shqiptarëve në vend – një çështje që ka qenë prej kohësh një shkak për tension dhe grindje politike dhe etnike.

Në mënyrën sesi qëndrojnë gjërat tani, një konsensus i përhapur midis të gjithë aktorëve politikë nuk ka gjasa të arrihet, kështu që rezultati nuk do të mbizotrojë mbi mirëbesimin e përbashkët.

Qytetarët përballen me dilemën që edhe një herë do t`u duhet ta paguajnë çmimin e një regjistrimi tjetër të politizuar, të kallajisur etnikisht dhe përfundimisht të dështuar.

Më shumë se një operacion statistikor

Ndërkohë që të gjithë lojtarët politikë pajtohen që regjistrimi të jetë një operacion i rregullt statistikor, i bërë në mënyrë profesionale dhe për arsye të domosdoshmërisë praktike, diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Këtu, ajo ka tërhequr prej kohësh çështje delikate etnike, që lidhen mbi të gjitha me numrin e shqiptarëve etnikë dhe kërkesat e tyre lidhur me të drejta më të mëdha që kanë të bejnë  me numrin e tyre të supozuar.

Maqedonia e Veriut e ka bërë regjistrimin e saj të fundit në vitin 2002, më shumë se 19 vjet më parë. Kjo u bë menjëherë pasi një konflikt i shkurtër i armatosur në vitin 2001 midis forcave të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë etnikë përfundoi në një marrëveshje paqeje.

Regjistrimi që pasoi tregoi se 64 përqind e popullsisë ishte maqedonase, 25 përqind ishin shqiptarë etnikë dhe pjesa tjetër ishin romë, turqë, serbë dhe pakica e tjera.

Bazuar në këto numra, shqipja u bë gjuha e dytë zyrtare në ato zona ku shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 20 përqind të popullsisë sipas regjistrimit të fundit.

Një përpjekje e mëvonshme për një regjistrim kombëtar në vitin 2011 përfundoi në fiasko dhe u ndalua menjëherë pasi filloi, për shkak të mosmarrëveshjeve etnike.

Prokuroria e krimit të organizuar tani po heton nëse ndërprerja e papritur e tij ishte rezultat i ngatërrimeve politike nga ana e udhëheqësit të partisë në atë kohë në pushtet VMRO DPMNE dhe Kryeministrit Nikola Gruevski, dhe partnerit të tij të vogël në qeveri, Ali Ahmeti, i BDI-së. Miliona euro u shpenzuan kot.

Prokuroria dyshon se të dy udhëheqësit vendosën të heqin dorë nga referendumi në vitin 2011 pasi kuptuan se rezultatet e tij do të dëmtonin të dy – duke konfirmuar një eksod masiv të drejtuar ekonomikisht nga vendi që kishte gjasa të kishte rezultuar në më pak Maqedonas dhe Shqiptarë.

Opozita thotë se rezultatet do të ‘dakordohen paraprakisht’

Tani në opozitë, VMRO DPMNE tani ankohet publikisht dhe akuzon kundërshtarët e saj qeverisës për keqpërdorime politike.

“Regjistrimi është një projekt i koalicioni të Social Demokratëve dhe BDI, ku përqindjet etnike janë dakorduar paraprakisht dhe do të rreshtohen politikisht,” tha deputeti i VMRO DPMNE, Antonijo Milososki.

Partia e tij tashmë e ka quajtur regjistrimin si një “falsifikim” dhe thotë se nuk do ta njohë rezultatin e saj.

Ndërkohë që parlamenti pritet të miratojë ligjin mbi regjistrimn e popullsisë këtë ose javën e ardhshme, opozita ka nisur një peticion në internet duke kërkuar mbështetje për një ligj të ri, të rishikuar të regjistrimit.

Opozita thotë se nëse kjo nuk funksionon, vetë ajo do të kryejë regjistrimin e popullsisë kur të kthehet në pushtet.

Sipas opozitës,  ekziston frika se shumë shqiptarë do të përpiqen ti regjistrojnë të afërmit e tyre që tani jetojnë jashtë si banorë dhe akuzon Social Demokratët, të cilët po përpiqen t’u bëjnë thirrje të dy palëve rreth ndarjes etnike, se janë shumë të butë ndaj një keqpërdorimi të tillë.

“Qeveria tha se nuk do të lejojë që personat jo-ekzistues të regjistrohen. Por aty qëndron kurthi sepse nuk po flasim për njerëz që nuk ekzistojnë. Sipas standardeve të BE-së dhe KB-së, duhet regjistruar vetëm njerëzit që jetojnë në shtetin ku po bëhet regjistrimi i popullsisë”, tha Milososki.

“Nëse regjistrojmë të gjithë personat [nga shteti] të cilët janë banorë të Kanadasë, Sh.B.A., xhaxhallarë dhe halla nga Zvicra, Australia, Gjermania, Suedia dhe kështu me radhë, atëherë ky do të ishte një regjistrim i qytetarëve, jo i banorëve të Maqedonisë”, tha Milososki.

Projektligji në parlament thotë se do të ketë një regjistër të veçantë për banorët që jetojnë aktualisht në Maqedoninë e Veriut (rezidentët) dhe ata që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut (jorezidentët), që do të thotë qytetarë që kanë qenë jashtë vendit për më shumë se një vit.

Mirëpo një dispozitë tjetër e ligjit thotë se metodologjia e saktë e marrjes së të dhënave dhe verifikimi i tyre do të përcaktohet më vonë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, i cili është përgjegjës për kryerjen e operacionit, “më së voni një muaj pasi ligji të hyjë në fuqi”.

Për opozitën, kjo është shqetësuese, pasi ka frikë se ligji do t’i lejojë njerëzit të japin thjesht numrat e identitetit të të afërmve që jetojnë jashtë dhe t’i listojnë ata si banorë.

Kreu i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Apostol Simovski, në mënyrë kategorike siguroi se kjo nuk do të ndodhë.

Ai këmbënguli që, përveç kërkesës për leternjoftim, do të duhet të plotësohen 50 deri në 60 pyetje të tjera për secilin person, për të përcaktuar nëse ai ose ajo është me të vërtetë banor i Maqedonisë së Veriut.

“Nuk do t’iu lejohet të jepni vetëm një numër letërnjoftimi. Aplikimi nuk do t’iu lejojë ta paraqisni një pyetësor jo të plotë; ka 50 deri në 60 pyetje atje”, shtoi  ai.

“Të gjitha këto pyetjeve duhet të marrin përgjigje, kështu që nuk mund të jepni vetëm emrin, mbiemrin, letërnjoftimin, adresën dhe etninë [e personit që do të regjistrohet]”, shtoi Simovski.

“Edhe nëse falsifikoni disa të dhëna, ne do t’i referojmë ato me bazat e të dhënave në dispozicion në zyrën e statistikave dhe në institucionet e tjera, kështu që alarmi do të ngrihet, duke na paralajmëruar që ky person duhet të ketë një kontrollim të dyfishtë”, vazhdoi ai.

Simovski këmbënguli se është praktikë normale që metodologjia e saktë e një regjistrimi të bëhet e saktë pas miratimit të ligjit, i cili siguron vetëm kornizën për operacionin.

Një dispozitë tjetër në projektligj që krijon dyshime përcakton që rezultati i regjistrimit do të konsiderohet i vlefshëm vetëm pasi ta nënshkruajnë të dy udhëheqëesit e Zyrës së Statistikave, një Maqedonas etnik dhe zëvendësi i tyre etnik shqiptar.

Kjo dispozitë, e përfshirë në nenin 17, paragrafi 3 i projektligjit, i quajtur gjerësisht dispozita e “nënshkrimeve të lidhura”, u paraqit nga qeveria si një tjetër mbrojtje kundër falsifikimit të mundshëm.

Megjithatë, argumentimi i opozitës është i anasjelltë. Ajo thotë se dispozita e “nënshkrimeve të lidhura” dërgon një paralajmërim se priten të bëhen përpjekje për t`i lidhur rezultatet e regjistrimit, bazuar në linjat etnike, në kundërshtim me situatën reale.

Mungesa e të dhënave krijon probleme të shumta 

Në mungesë të të dhënave të besueshme për popullsinë aktuale, vendi mbështetet te “vlerësimet” e zyrës statistikore të shtetit, bazuar në referencat e bazave të të dhënave dixhitale.

Mirëpo kjo ka krijuar mospërputhje të palogjikshme, si dhe probleme të tjera.

Ndërsa të dhënat nga 2002, nga regjistrimi i fundit, zbuluan pak më shumë se 2,022,000 banorë, të dhënat e vlerësuara nga viti i kaluar treguan një rritje të lehtë prej disa dhjetëra mijëra banorësh.

Kjo është në kundërshtim me të gjitha vlerësimet e ekspertëve, të cilat flasin për një rënie të madhe të popullsisë gjatë dekadës së fundit, kryesisht për shkak të migrimit ekonomik. Këto vlerësime e vendosin numrin aktual të banorëve midis 1.6 dhe 1.8 milion sosh.

Kjo, nga ana tjetër, ka krijuar një problem me listën zgjedhore, e cila liston një numër prej 1.8 milion votuesish të pagjasë të regjistruar, të cilët shumica e ekspertëve i hedhin poshtë si jo të vërtetë.

Numri çuditërisht i lartë i votuesve të regjistruar e bën të vështirë arritjen e një pragu në zgjedhje dhe referendume.

Në referendumin e vitit 2018 mbi ndryshimin e emrit të shtetit, për shembull, vetëm 36.87 përqind e votuesve të regjistruar hodhën votat e tyre – shumë më pak se 50 përqind e nevojshme që rezultati të konsiderohej i vlefshëm.

Pra, pavarësisht nga shumica e atyre që votuan duke thënë “po” për një ndryshim të emrit, në këmbim që Greqia ti japë fund bllokadës nga ana e saj në përparimin Euro-Atlantik të Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrja e ulët do të thoshte vetëm një fitore as e kënaqshme e as a pakënaqshme për kampin qeveritar që kishte avokuar votat.

Nuk do të ketë shtyrje përkundër shqetësimeve shëndetësore 

Përgatitjet teknike origjinale për regjistrimin filluan në vitin 2019 me synimin për ta mbajtur atë në vitin 2020.

Por edhe para se të shtyhej për në vitin 2021 për shkak të krizës nga COVID-19, qeveria dhe opozita e kishin humbur tërë vitin 2019 në përpjekjen e pasuksesshme për tu dakorduar mbi kushtet dhe për të siguruar arritjen e një konsensusi.

Tani opozita kërkon një shtyrje tjetër, pjesërisht për shkak të shqetësimeve të përmendura më parë, por edhe për shkak të rreziqeve shëndetësore nga pandemia.

Mirëpo qeveria këmbëngul se nuk do të ketë shtyrje të mëtejshme, duke shtuar se numri i madh është i nevojshëm dhe se pret që pandemia të reduktohet deri në muajin prill.

Ajo këmbëngul se nuk do të ndërmarrë ndonjë rrezik dhe operacioni do të kryhet me të gjitha masat e duhura të sigurisë si jashtë në hapësirë ashtu edhe në zyrat ku punëtorët do të mbledhin dhe përpunojnë të dhëna.

Në Bullgarinë fqinje, megjithatë, ku një regjistrim i ri ishte pritur të bëhej në fillim të 2021, qeveria e shtyu atë për shkak të pandemisë.

Sidoqoftë, Bullgaria nuk është nën të njëjtin presion sikurse Maqedonia e Veriut, pasi ajo kryen rregullisht regjistrime, hera e fundit ishte bërë në vitin 2011, përafërsisht të njëjtën kohë kur Maqedonia e Veriut nuk e bëri të njëjtën.

Ndërkohë të gjitha palët politike në Maqedoninë e Veriut këmbëngulin të përmendin standardet dhe rekomandimet e regjistrimit sipas BE, Bullgaria ofron një pikë tjetër interesante krahasimi, si një vend i BE dhe, si Maqedonia e Veriut, një  vend me një diasporë të madhe.

Përkundër asaj që opozita në Shkup pretendon se rekomandimet e BE nuk lejojnë ta bëjë një gjë të tillë, Bullgaria i regjistron si rezidentë dhe jorezidentë, ashtu edhe njerëz me shtetësi të dyfishtë.

Test për pjekurinë e vendit 

Ish-udhëheqësi i Zyrës Shtetërore të Statistikave, Donco Gerasimovski, deklaroi se regjistrimi i nevojshëm urgjentisht do të paraqesë një provë të pjekurisë së vendit, por që, pa një konsensus politik, rezultati mbetet ende në ekuilibër.

“Kurdoherë që politika përfshihet në këtë operacion, profesioni ynë përballet me probleme. Polarizimi gjithmonë rezulton në dikë që nuk e njeh vlefshmërinë e rezultateve”, tha ai.

“Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë ka për qëllim të përshkruajë të ardhmen e vendit. Nuk ka të bëjë me një parti politike ose operacion etnik por diçka që i duhet vendit, kështu që partitë politike nuk kanë asnjë levërdi për të vendosur nëse është i besueshëm apo jo”, përfundoi Gerasimovski.

Regjistrimi i përgjithshëm “do të përbëjë një provë për pjekurinë e marrëdhënieve ndëretnike por edhe për partitë politike”, pajtohet duke thënë Malinka Ristevska Jordanova, nga institucioni studimor i Institutit të Politikave Evropiane me qendër në Shkup.

“Nuk ka shpëtim nga fakti që, për shkak të rendit specifik kushtetues, regjistrimi në vendin tonë ka një ndikim në marrëdhëniet ndër-etnike”, i tha ajo BIRN.

“Megjithatë, ekzistojnë standarde ndërkombëtare dhe evropiane për kryerjen e një regjistrimi, dhe ka institucione kombëtare me përvojë të madhe dhe ato janë baza për të shmangur politizimin e tij”, vazhdoi ajo.

“Nëse energjia (dhe diskutimi) drejtohet drejt implementimit të duhur të standardeve dhe kapacitetit të fortë të institucioneve që do ta zbatojnë atë, mundësitë për politizim do të ngushtohen”, përfundoi ajo./balkaninsight

Related Articles

Back to top button
Close
Close