KulturëLajme

Poezia semantike e Agim Vincës

Agim Vinca, një ndër studiuesit e kritikët më të çmuar të letërsisë shqipe, është edhe një ndër poetët më të vlerësuar të poezisë së sotme shqipe.

Autori e nisi krijimtarinë poetike që më 1972, me përmbledhjen “Feniks”, për të vazhduar deri sot, duke rrumbullakuar kështu një krijimtari që shquan jo vetëm me sasinë por edhe me cilësinë.

Përmbledhja e tij e fundit botuar sivjet dhe e titulluar “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, është libri i tij i trembëdhjetë, duke përfshirë këtu edhe përmbledhjet e botuara në gjuhë të tjera: greqisht, rumanisht, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Duke qenë studiues e njohës i shkëlqyer i poezisë së sotme shqipe, dëshmuar jo vetëm në auditorët universitarë, ku ka përmbushur mbi 40 vjet pune shumë të frytshme, po edhe me botimin e rreth dhjetë veprave studimore e kritike, ai do të dëshmojë se njohjet e tij mbi poetikën e mbi mjeshtërinë artistike ka ditur t’i jetësojë në një poezi që mban shënjues të qartë të dallueshëm individualizues.

Poezia e tij është krijuar mbi poetikën e poezisë gojore shqipe dhe të poezisë më të mirë të traditës së pasur poetike. Si e tillë ajo përmban veçoritë e të dyja këtyre dhe shquhet me ndjeshmëri të theksuar artistike.

Leximi i poezive të Agim Vincës gjithmonë dhe me të njëjtën peshë nxit interesim te lexuesi, si me tematikën ashtu edhe me semantikën e tyre, nxit përjetim të veçantë si me figurshmërinë ashtu edhe me bukurtingëllimin, nxit kënaqësi estetike si me vargun ashtu edhe me gjuhën e pasur, për më tepër provokon frymëzueshëm e fuqishëm intelektualisht e moralisht.

Përmbledhja e tij e poezive “Nostalgji për kohërat e rrezikshme” paraqet vepër e cila, sipas arritjeve artistike, meriton vend të veçantë në poezinë e re shqipe duke e vendosur autorin e saj në lartësinë e merituar.

Poezia e Vincës, prej fillimeve të veta e deri sot, në përgjithësi, nuk është vetëm fakt artistik, po edhe fakt i rëndësishëm kulturor sepse ajo tematizon një epokë të kulturës shqiptare rreth 50-vjeçare, epokën e shqiptarëve të fundshekullit XX dhe të fillim shekullit XXI.

Ai arrin që brenda hapësirës së përzgjedhur të poezive të tij, një kulturë të kujtimeve ta shndërrojë në art të kujtesës. Poezia e tij si një fakt i fuqishëm artistik arrin që në një mënyrë a në një tjetër t’i krijojë lexuesit një përfytyrim real për Kosovën e njeriun e saj në përthyerjet më të rëndësishme historike të tyre, jo vetëm për të kaluarën e të tashmen, por edhe të ndikojë në perceptimin e së ardhmes.

Subjekti lirik i numrit më të madh të poezive të tij i tejkalon kufizimet hapësinore-kohore, që kanë lënduar gjatë shqiptarët, duke arritur t’i shërojë a t’i mbijetojë vrragët e historisë gjithnjë në funksion të krijimit e të mbajtjes gjallë të hapësirës së përbashkët shpirtërore të shqiptarëve, mbetur gjatë vetëm si hapësirë ëndërrsynuese.

Si në fillimet poetike ashtu edhe në poezitë e tij të fundit ai është poet i theksueshëm lirik, por poezia e tij sjell shumë elemente me përmbajtje kulturore e historike, përmbajtje kombëtare, për çka ajo mund të quhet poezi e mendimit dhe e ndjenjës. Si në fillimet e tij poetike, si sot, ai shkruan natyrshëm, thjesht, me një gjuhë që rrjedhë tejet natyrshëm, për çka lexohet me shumë ëndje.

Vargu në vijim e mbështet atë që thuhet më sipër:

Zgjatmi duart, Veleshtë, zgjatmi,
t’i shoh, t’i preki, t’i puthi!
Zgjatmi duart e ashpra, të buta,
duart tua plot kallo-pllufka.

Poeti ka ruajtur lirizmin e tij lasgushian e agollian me veçori të theksuara individualizuese. Nëse lirizmi në fillimet e tij poetike e vite më pas jepte më shumë dritë e shpresë, te poezitë e tij, ky lirizëm u pasurua përmbajtësisht me tema shoqërore e historike, politike, përgjithësisht kombëtare, rrjedhimisht edhe më shumë dhembje, mërzi, pakënaqësi, zhgënjim e revoltë.

Më së miri këtë e provon përmbledhja e tij e fundit poetike “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”.

Ajo që i bashkon poezitë e Agim Vincës përgjatë viteve është atdhetadashuria. Shqetësimi dhe adhurimi për të përbashkëtat tona, në rend të parë për gjeografinë e historinë kombëtare, për gjuhën e këngën, për lirinë e dëshmorët enden në shumë poezi të këtij vëllimi.

Përveç semantikës atdhetare, poezinë e Agim Vincës e karakterizojnë edhe leksiku i përzgjedhur dhe leksiku toponimik. Bien në sy sidomos antroponimet e toponimet e shumta nga historia kulturore, përkatësisht kombëtare, të cilat poeti i aktualizon në mënyrë funksionale, duke krijuar përmes këtyre shënjuesve lirikë një gjeografi e një histori shpirtërore shqiptare theksueshëm mbresëlënëse.

Poezia e Agim Vincës është poezi me semantikë të ngjeshur dashurie e atdhedashurie.

Related Articles

Back to top button
Close
Close