
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka thënë se do ta largojë Dimal Bashën nga posti i kryeparlamentarit në këmbim të mbështetjes së partisë së tij për formimin e qeverisë së re.
“Ma dha informatën që, e di që e ke pas vështirë me votu Dimalin, po e largojmë Dimalin nga kryetari i Kuvendit dhe po e çoj ministër. Dhe qesha. Edhe natyrisht e kërkoi mbështetjen për qeverinë. Por, nuk bëhen këto punë në minuta të fundit. I thash se për respekt erdha, meqë më ftuat, dhe po ju dëgjoj, por nuk bëhen këto gjëra në momente të fundit. U takuam në hapësirat e Parlamentit. Dhe ma kërkoi mbështetjen. Nuk provoi të hapte çështjen e posteve. Nuk dua të jem pjesë e qeverisë”, deklaroi kreu i Nismës, raporton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, Limaj tha se e ka pyetur Kurtin se ku do t’i marrë votat për qeverinë, dhe thotë se i ka thënë që “po pres me ba me juve”. Megjithatë, Limaj thotë t’i ketë thënë Kurtit se kjo punë nuk bëhet në minutat e fundit.
Tutje, ai tregoi se Kurti i kishte përfshirë dy kërkesat e tij në ekspoze, që ka qenë çështja e veteranëve, që të mos u merret paga e veteranit nëse punojnë në privat, dhe tjera çështja e energjisë.



