LajmeRajon

Aksident i rëndë në Kroaci, përplasen tren pasagjerësh dhe tren mallrash, 14 të lënduar

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Kroaci, pranë Krizhevcit, ku janë përplasur një tren mallrash dhe një tren pasagjerësh.

Aksidenti ka ndodhur në orën 10:05, në linjën hekurudhore ndërmjet stacioneve Sveti Ivan Zhavno dhe Gradec. Sipas informacioneve të deritanishme, në momentin e përplasjes në trenin e pasagjerëve ndodheshin rreth 20 persona.

Sipas informacioneve të fundit, 14 persona janë lënduar, ndërsa gjashtë prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda. Mes të lënduarve është edhe makinisti i trenit të pasagjerëve, i cili, sipas informacioneve fillestare, ka pësuar lëndime të rënda.

Në vendin e aksidentit menjëherë kanë mbërritur ekipet policore dhe mjekësore, të cilat po u ofrojnë ndihmë të lënduarve dhe po sigurojnë vendin e ngjarjes. Në terren është angazhuar edhe një helikopter i shërbimit të urgjencës mjekësore.

Për shkak të seriozitetit të aksidentit, trafiku hekurudhor në këtë linjë është ndërprerë, ndërsa vendi është siguruar gjatë kryerjes së hetimeve. Shërbimet kompetente duhet të përcaktojnë se si ka ndodhur përplasja dhe nëse bëhet fjalë për gabim njerëzor, problem me sinjalizimin apo rrethana të tjera.

Linja Gradec – Sveti Ivan Zhavno është një linjë lokale hekurudhore që është në përdorim që nga viti 2019 dhe shfrytëzohet si për transportin e pasagjerëve, ashtu edhe për atë të mallrave. Bëhet fjalë për një linjë me një shinë, e cila gjithashtu do të jetë pjesë e hetimit për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Nga institucionet kompetente priten informacione të reja për gjendjen e të lënduarve, si dhe detaje mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur përplasja.

Hetimi është në vijim, ndërsa më shumë informacione priten pas përfundimit të këqyrjes në vendin e aksidentit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close