
Prokuroria Themelore e Strugës ka hapur hetim ndaj një 34-vjeçari nga Veleshta, i dyshuar për tri vepra penale: prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim të armëve ose materialeve shpërthyese, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj personelit të zbatimit të ligjit gjatë kryerjes së detyrës, njofton Top24
Siç njoftojnë nga Prokuroria Publike Themelore, ngjarja ka ndodhur më 16 shtator, gjatë një konflikti me tre persona nga Dibra, me të cilët i dyshuari kishte marrëdhënie të tensionuara më parë. Ai ka nxjerrë një pistoletë pa leje dhe ka qëlluar disa herë në pjesën e poshtme të këmbëve të njërit prej tyre, duke i shkaktuar dy lëndime të lehta trupore. Më pas, ka tentuar të largohet me makinë.
Gjatë largimit, ai nuk i është bindur urdhrit të një oficeri policie për të ndaluar, duke e goditur policin dhe duke i shkaktuar atij po ashtu lëndime trupore.
Gjatë kontrollit janë gjetur një thikë dhe një shkop metalik, ndërsa autoritetet po kryejnë veprime shtesë për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje.
Prokurori ka paraqitur kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.



