LajmeRajon

Petkoviç e cilëson të “mundimshëm” takimin me Bislimin: Insistuam në themelimin e Asociacionit

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç e ka cilësuar si të “mundimshëm” takimin me homologun e tij nga Kosova, Besnik Bislimin në Bruksel këtë të enjte.

“Takim me Bislimin ka qenë i mundimshëm, sepse Prishtina refuzon të diskutojë për propozimet e Beogradit. Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si asaj në Bruksel ashtu edhe në Ohër, është formimi i Asociacionit dhe kjo është baza e normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai për mediat serbe.

Tutje, ai ka theksuar se në takim është diskutuar edhe për rrethanat e vështira të jetës së serbëve në Kosovë.

“Folëm për spastrimin etnik të kryer nga autoritetet në Prishtinë, lëvizjet e tyre të njëanshme dhe të përshkallëzuara, mbylljen e institucioneve serbe, arrestimet ilegale të serbëve dhe të gjitha gjërat tjera që e vështirësojnë plotësisht pozitën e tyre dhe jetën e popullit serb në Kosovë”, shtoi.

Ai potencoi se u diskutua edhe për vazhdimin e zbatimit të marrveshjes për personat e zhdukur mes dy vendeve.

“Beogradi edhe një herë ka treguar konstruktivitet të plotë dhe ka pranuar propozimin e BE-së lidhur me miratimin e një rregulloreje specifike të punës në lidhje me Grupin e Punës dhe Komisionin për çështjen e personave të zhdukur”.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se takimi ka përfunduar pa rezultat në tema të rëndësishme.

“S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, theksoi Bislimi.

Madje sipas tij, Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë.

“Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij raundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”, ka potencuar ai.

Takimet e së enjtes në Bruksel ishte paralajmëruar se do të fokusoheshin te zbatimi në mënyrë urgjente të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars 2023) dhe te nevoja që të dyja palët të pajtohen për përparim në dialog.

Kështu të paktën potencoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, të mërkurën.

Vendet perëndimore janë duke insistuar që ta zbatohet Marrëveshja Bazike, mirëpo kjo aktualisht nuk duket afër, derisa liderët e vendeve përkatëse akuzojnë njëri tjetrin për ikje nga obligimet e marra.

Related Articles

Back to top button
Close
Close