
Përplasja në distancë mes Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTVM) dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele po thellohet, ndërsa në qendër të debatit mbetet legjitimiteti i kanaleve sportive Arena M Premium, përcjell portali Zyrtare.net
RTVM akuzon Agjencinë se prej gjashtë ditësh nuk i është përgjigjur kërkesës për t’i vënë në dispozicion dokumentacionin që lidhet me ritransmetimin e këtyre kanaleve. Sipas televizionit publik, bëhet fjalë për aplikimin dhe miratimin për përfshirjen e tre kanaleve sportive në paketat programore të operatorëve.
Televizioni shtetëror RTMV, ngre dyshime edhe mbi pretendimin e Agjencisë se kanalet janë të regjistruara në Serbi, duke theksuar se ato nuk figurojnë as në regjistrin zyrtar të autoritetit rregullator serb dhe as në bazën e të dhënave të Observatorit Evropian të Mediave.
Një tjetër çështje që, sipas RTVM-së, mbetet pa përgjigje është pronësia e kanaleve Arena M, si dhe mënyra e organizimit të funksionimit të tyre. RTVM thekson se në shtetet e tjera të Ballkanit, Arena Channels Group operon përmes kompanive në pronësi të vet.
Radiotelevizioni i Maqedonisë njofton se edhe gjatë kësaj jave do të vazhdojë të kërkojë sqarime nëse menaxhimi i kanaleve sportive në Maqedoninë e Veriut i është besuar një kompanie tjetër ndërmjetëse, si dhe cilat masa planifikon të ndërmarrë Agjencia për të verifikuar legjitimitetin e këtyre kanaleve sportive.



