LajmeRajon

Mali i Zi miraton ndryshimin historik: Dy ditë pushim të paguar në muaj për gratë me menstruacione të dhimbshme.

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, me të cilat grave që kanë probleme të diagnostikuara shëndetësore dhe përjetojnë menstruacione të dhimbshme u mundësohet të marrin dy ditë pushim të paguar çdo muaj.

Bëhet fjalë për gratë që vuajnë nga dismenorrea sekondare, pra cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga sëmundje ose ndryshime organike, të shoqëruara me ngërçe, të përziera, lodhje dhe simptoma të tjera.

Kjo e drejtë vlen për gratë me probleme gjinekologjike si endometrioza, miomat, polipet dhe sëmundje të tjera të ngjashme.

Nismën për ndryshimet ligjore e paraqiti deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq në muajin mars të këtij viti, ndërsa propozimi më herët mori mbështetje unanime nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Politikë Sociale dhe Komisioni Legjislativ.

Në arsyetimin e ndryshimeve thuhet se synimi është trajtimi i duhur i këtyre gjendjeve shëndetësore, heqja e stigmës dhe paragjykimeve në vendin e punës, si dhe krijimi i një ekuilibri mes kujdesit për shëndetin dhe detyrimeve profesionale të grave.

Dismenorrea sekondare lidhet me probleme të diagnostikuara më parë, si endometrioza, miomat e mitrës, inflamacioni i vezoreve, polipet endometriale dhe sindroma e vezoreve policistike. Këto gjendje mund të shkaktojnë edhe dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, vështirësi gjatë urinimit, probleme me fertilitetin ose gjakderdhje të shtuar gjatë ciklit menstrual.

Related Articles

Back to top button
Close
Close