LajmeMaqedoniTopLajm

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë kryhet transplanti i parë i mëlçisë nga donatori i vdekur

Në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, sot është kryer transplanti i parë i mëlçisë nga donatori i vdekur, i pari në historinë e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

“Pacienti gjashtëdhjetëvjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës mbrëmë pranoi t’i dhurojë organet. Krahas mëlçisë, momentalisht është duke u zhvilluar transplantimi i veshkave në dy pacientë me sëmundje të veshkave”, publikoi në Fejsbuk Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të përfshirë në ndërhyrjen e transplanteve falënderoi familjen e donatorit dhe vendimin e tyre për të shpëtuar jo një, por tri jetë.

“Ata na treguan edhe një herë se jeta mund të dhurohet. Falënderojmë gjithashtu të gjitha ekipet mjekësore të përfshira në transplantim, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë me pacientët gjatë 24 orëve të fundit. Falënderim të veçantë meriton profesori Zoran Karaxhov dhe ekipi i tij, si dhe ekipi i Klinikës së Gastroenterohepatologjisë, i cili sot shkroi një faqe të re jo vetëm në fushën e kirurgjisë së digjestive, por edhe në shëndetin e përgjithshëm, theksoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Related Articles

Back to top button
Close
Close