
Pedro Porro vazhdon të jetë një nga zbulimet më të mëdha të Spanjës në Botërorin 2026. Mbrojtësi i djathtë i “La Roja”-s shkroi historinë pas golit të shënuar në fitoren 2-0 ndaj Francës në gjysmëfinale.
Pas penalltisë së realizuar nga Mikel Oyarzabal në pjesën e parë, Porro vulosi suksesin e Spanjës me golin e dytë, pas një asisti të Dani Olmos, duke i siguruar ekipit të Luis de la Fuente një vend në finalen e madhe.
Me këtë realizim, 26-vjeçari u bë mbrojtësi i dytë në historinë e kombëtares spanjolle që arrin të shënojë të paktën dy gola në një edicion të vetëm të Kupës së Botës. Deri tani, këtë arritje e kishte vetëm legjenda Fernando Hierro, i cili e realizoi në Botërorët e viteve 1998 dhe 2002.
Golin e tij të parë në këtë turne, Porro e kishte shënuar në fitoren 3-0 ndaj Austrisë në fazën e 1/16-ave, ndërsa ndaj Francës konfirmoi edhe një herë aftësinë për të qenë vendimtar edhe në sulm.
Futbollisti i Tottenhamit ka hyrë gjithashtu në një listë të veçantë të Botërorit 2026. Ai është mbrojtësi i tretë që ka shënuar të paktën dy gola në këtë turne, pas iranianit Ramin Rezaeian dhe kolumbianit Daniel Muñoz.
Paraqitjet e shkëlqyera të Pedro Porros po rezultojnë vendimtare në rrugëtimin e Spanjës drejt finales, duke e shndërruar mbrojtësin e krahut në një nga protagonistët më të mëdhenj të “La Roja”-s në këtë Botëror.



