
Pas sulmeve amerikane në Iran gjatë fundjavës, Kina ka reaguar me tone të ashpra, duke e dënuar veprimin e Washingtonit dhe duke e cilësuar si një goditje ndaj rendit të sigurisë globale. Sipas mediave shtetërore dhe zyrtarëve kinezë, SHBA ka humbur besueshmërinë ndërkombëtare dhe ka dëshmuar edhe një herë, se nuk është partnere e besueshme.
“Bombat amerikane kanë goditur themelet e rendit global të sigurisë,” shkruan Global Times, ndërsa ambasadori kinez në OKB, Fu Cong, theksoi se “është dëmtuar jo vetëm Irani, por edhe besueshmëria e Shteteve të Bashkuara si palë në çdo negociatë ndërkombëtare.”
Pekini i kërkon Washingtonit të ndalë menjëherë përshkallëzimin dhe të rikthehet në tryezën e negociatave. Nga ana tjetër, ky zhvillim i jep Kinës edhe një mundësi për të përforcuar imazhin e saj si një fuqi e përgjegjshme e paqes, në kontrast me SHBA-në që shihet si agresore.
Sipas disa analistëve, përfshirja e Amerikës në një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme mund të jetë një “lajm i mirë” për Pekinin, pasi Washingtoni mund të shpërqendrohet nga rajoni i Indo-Paqësorit – aty ku Kina po përballet me rritjen e presionit nga SHBA dhe aleatët e saj.
Wen-Ti Sun, ekspert i marrëdhënieve Kinë-Tajvan, thotë: “Kina është e kënaqur që SHBA po zhvendos fokusin e saj nga Indo-Paqësori drejt një rreziku tjetër. Kjo ndodh pikërisht në një kohë kur Uashingtoni po u kërkon aleatëve të tij aziatikë të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.”
Sidoqoftë, Kina nuk ka dhënë ndonjë ndihmë konkrete për Iranin, përveç deklaratave politike. Arsyet janë të qarta: mungesa e një aleance zyrtare mes dy vendeve, parimi i mosndërhyrjes në politikën e jashtme kineze, dhe frika nga sanksionet perëndimore nëse mbështet haptazi Teheranin.
Dilema kineze: përfitim imazhi apo rrezik ekonomik?
Sipas analistëve, Kina rrezikon të humbasë një partner strategjik në Lindjen e Mesme, nëse Irani dobësohet nga lufta. Rritja e çmimit të naftës do të ishte gjithashtu një goditje për ekonominë kineze, që tashmë po përpiqet të rimëkëmbet pas krizës post-pandemike.
Kina po përpiqet të përfitojë diplomatikisht nga situata, duke ruajtur një profil të ulët në veprime konkrete, një strategji e vjetër që i ka sjellë popullaritet veçanërisht në vendet e jugut global./tvklan.al



