LajmeMaqedoni

Lamtumira e fundit për Lirim Hajredinin, Qosja i Alsat-M: Ishte një prej shtyllave më të rëndësishme të televizionit

Në ceremoninë e varrimit të drejtorit operacional të Alsat-M, Lirim Hajredini, kryeredaktori i televizionit, Admir Qose, mbajti një fjalim përkujtimor, duke vlerësuar lart kontributin profesional dhe njerëzor të Hajredinit.

Qose tha se sot Alsat-M i jep lamtumirën një kolegu të palodhur, një miku të rrallë dhe një prej shtyllave më të rëndësishme të televizionit.

“Për më shumë se 15 vjet, Lirimi ishte pjesë e pandashme e familjes sonë profesionale. Si drejtor operativ, ai nuk ishte vetëm një drejtues i aftë. Ai ishte mendja e mprehtë që gjente zgjidhje aty ku të tjerët shihnin pengesa”, u shpreh Qose.

Ai theksoi se pas shumë prej sukseseve të Alsat-M qëndronte puna e palodhshme, profesionalizmi dhe përgjegjësia e Hajredinit.

Sipas Qoses, Hajredini nuk ishte vetëm drejtues, por edhe një mik e koleg që dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe të ishte pranë të tjerëve në momentet më të vështira.

“Për mua personalisht, dhe për shumë prej nesh, Lirimi ishte shumë më tepër sesa një bashkëpunëtor. Ai ishte një muskëtier betejash. Një nga ata krahëmarrësit e rrallë që jeta t’i dhuron vetëm pak herë. Besnik, i sinqertë, i mençur dhe gjithmonë i gatshëm të gjendej pranë në momentet kur kishim nevojë”, tha Qose.

Kryeredaktori i Alsat-M u shpreh se largimi i Hajredinit është një humbje e madhe për të gjithë ekipin, por trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë në institucionin që ndihmoi të ndërtohej dhe në kujtimet e kolegëve.

Në fund të fjalimit, Qose i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Hajredini dhe e përshëndeti për herë të fundit kolegun e tij.

“Lirim, faleminderit për gjithçka që na ke dhënë. Faleminderit për punën, për urtësinë, për miqësinë dhe për shembullin që le pas. Do të na mungosh çdo ditë, por kujtimi yt do të mbetet i gjallë në zemrat tona dhe në historinë e ALSAT-it. U prehsh në paqe, miku ynë i dashur. Lavdi kujtimit tënd”, përfundoi Qose.

Related Articles

Back to top button
Close
Close