
Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, ka reaguar ndaj qëndrimit të deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi, i cili publikoi një fotografi me karriget bosh të opozitës në Kuvend, transmeton Zyrtare.net
Përmes një postimi publik, Pasholli i bëri thirrje Azizit që herën tjetër kur në rend dite të jetë Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të sigurojë praninë e deputetëve të shumicës parlamentare dhe të vetë propozuesve të ligjit.
Sipas saj, në momentin kur Azizi publikoi fotografinë, në sallën e Kuvendit ndodheshin vetëm 59 deputetë, ndërsa opozita e kishte lëshuar seancën pasi, siç thekson ajo, nuk e ka obligim t’i sigurojë kuorumin shumicës parlamentare.
“E lëshuam sallën sepse opozita nuk e ka për obligim t’ia sigurojë kuorumin shumicës parlamentare, e aq më pak kur në rend dite ka një ligj që vetë e ka propozuar dhe e paraqet si historik”, shkruan Pasholli.
Ajo shton se mungesa e kuorumit nuk është pasojë e veprimeve të opozitës, por e pamundësisë së shumicës për të siguruar praninë e deputetëve të saj.
“Kuvendi mbetet pa kuorum jo për shkak të opozitës, por sepse shumica nuk arrin t’i mbledhë deputetët e saj. Paaftësia juaj nuk është përgjegjësia jonë!”, përfundon reagimin deputetja Pasholli./zyrtare.net/



