LajmeMaqedoni

Pas Gostivarit, shqetësime për cilësinë e ujit edhe në qytete të tjera të vendit

Pas rastit me ujin e ndotur në Gostivar, i cili për ditë të tëra i la banorët pa ujë të sigurt për pije dhe përdorim, ankesa për cilësinë e ujit po vijnë edhe nga qytete të tjera të vendit. Ndërsa analizat në Gostivar tregojnë praninë e baktereve dhe uji vazhdon të jetë i papërshtatshëm për përdorim, në Vallandovë është vendosur ndalim për konsumimin e ujit për shkak të nivelit të rritur të arsenikut. Reagime ka edhe nga Debërca dhe Prilepi, ku qytetarët kërkojnë kontrolle dhe analiza shtesë.

Qytetarëve të Vallandovës u është ndaluar përdorimi i ujit nga ujësjellësi i qytetit për pije, pasi analizat kanë treguar nivel të rritur të arsenikut. Ndërmarrja Publike “Komunalen Servis” njoftoi se, sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik – Shkup, në ujin e pijshëm nga ujësjellësi i qytetit është konstatuar prani e shtuar e arsenikut.

“Në bazë të rezultateve të analizave të Institutit të Shëndetit Publik – Shkup, në ujin e pijshëm nga ujësjellësi i Vallandovës është konstatuar nivel i rritur i arsenikut. Për këtë arsye rekomandohet që uji të mos përdoret për pije deri në marrjen e rezultateve të reja që do të konfirmojnë sigurinë e tij. Uji mund të përdoret vetëm si ujë teknik”, thuhet në njoftim.

Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se po ndërmerren të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe po kryhen analiza dhe kontrolle shtesë në bashkëpunim me institucionet kompetente.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve t’i respektojnë rekomandimet deri në njoftimin zyrtar se uji është i sigurt për përdorim”, shtojnë ata.

Në komentet nën njoftim, qytetarët pyesin se për sa kohë kanë konsumuar ujë me nivel të rritur të arsenikut dhe cilat mund të jenë pasojat për shëndetin.

Mjeku Niko Beçarovski komentoi rastin, duke bërë të ditur se në ujësjellësin e Vallandovës është detektuar nivel prej 14 ppb arsenik, rreth 40 përqind mbi kufirin maksimal të lejuar prej 10 ppb, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas tij, ndikimi në shëndet varet para së gjithash nga kohëzgjatja e ekspozimit.

“Konsumimi afatshkurtër i këtij uji, për disa ditë ose disa javë, për pjesën më të madhe të popullsisë nuk paraqet rrezik të madh shëndetësor dhe nuk do të shkaktojë simptoma. Nuk ka nevojë për panik apo për vizita masive në institucionet shëndetësore, sepse helmimi akut me arsen ndodh vetëm në përqendrime shumë më të larta”, tha Beçarovski.

Ai shtoi se uji është i sigurt për përdorim teknik dhe për dush, por paralajmëroi se konsumimi afatgjatë, për disa vite, mund të shkaktojë pasoja kronike shëndetësore, si ndryshime në lëkurë, hipertension, rezistencë ndaj insulinës, çrregullime neurologjike dhe rritje të rrezikut për disa lloje të kancerit.

Sipas tij, fokusi duhet të jetë në zbulimin e burimit të ndotjes dhe jo në spekulimet nëse rezultatet e analizave janë të sakta.

Alarm nga Debërca për derdhje të ujërave të zeza në lumin Sateska

Ndërkohë, Organizata Komunale e LSDM-së në Debërcë njoftoi se ka pranuar incizime ku, sipas pretendimeve të tyre, shihet derdhja e ujërave të zeza nga sistemi i kanalizimit drejtpërdrejt në lumin Sateska.

Ata kërkuan që kryetari i komunës të deklarohet urgjentisht për rastin dhe të ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e mëtejshme.

Gjithashtu, organizata kërkoi që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Inspektorati Komunal dhe institucionet e tjera kompetente të dalin në terren, të verifikojnë gjendjen faktike dhe, nëse konstatohen shkelje, të ndërmarrin masa ligjore ndaj përgjegjësve.

“Lumi Sateska është pasuri natyrore që duhet mbrojtur. Askush nuk ka të drejtë që me veprimet e tij të papërgjegjshme ta rrezikojë mjedisin jetësor dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në reagim.

Në rrjetet sociale ditët e fundit janë shfaqur edhe ankesa të shumta nga Prilepi, ku qytetarët kanë publikuar fotografi dhe video të ujit, i cili sipas tyre është i turbullt dhe i ngjan dhallës. Deri tani nuk ka informacione zyrtare nga institucionet kompetente për ndonjë parregullsi në cilësinë e ujit, por banorët kërkojnë analiza shtesë dhe sqarime.

Ndërsa në qytete të tjera po shtrohen pyetje për cilësinë e ujit, banorët e Gostivarit vazhdojnë të përballen me pasojat e krizës së furnizimit me ujë.

Sipas analizave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, uji nga ujësjellësi i Gostivarit mbetet i papërshtatshëm si për pije ashtu edhe për përdorim teknik për shkak të pranisë së baktereve. Qytetarët janë ftuar t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve dhe, deri në njoftimin e radhës, të mos përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit.

Për situatën u diskutua edhe në mbledhjen e Shtabit Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, të kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Shtabi e obligoi Komunën e Gostivarit që urgjentisht të propozojë lokacione për vendosjen e pikave për shpërndarjen e ujit teknik për objektet me rëndësi jetike.

Në të njëjtën kohë, Instituti i Shëndetit Publik, NP “Ujësjellësi” – Shkup dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojnë kontrollet intensive në terren për cilësinë e ujit, ndërsa rezultatet do t’ia dorëzojnë rregullisht Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vënë në gatishmëri dy cisterna për shpërndarjen e ujit teknik, të cilat do të angazhohen nëse institucionet kompetente vlerësojnë se është e nevojshme.

Po ashtu, komunat Kumanovë, Tetovë, Dibër, Kërçovë, Kavadar dhe Negotinë do të sigurojnë ujë teknik me cisternat e tyre për nevojat e qytetarëve të Gostivarit, ndërsa Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta do të vazhdojë shpërndarjen e ujit për pije.

Qendra për Menaxhim me Kriza u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin rregullisht informacionet zyrtare dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve deri në tejkalimin e plotë të situatës.

Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.

Related Articles

Back to top button
Close
Close