LajmeMaqedoni

Partitë politike të gatshme për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Kryeministri Zoran Zaev shprehet i gatshëm për të nisur ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-së. I pari i Qeverisë thotë se rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare për transparencë në KSHZ, formatin e saj, mënyrën e votimit dhe rritjen e transparencës në financimin e partive politike, duhet të inkuadrohen në Kodin Zgjedhor. Zaev thotë se shumica pretendon ndryshimin e modelit zgjedhor me lista të hapura dhe lista preferenciale.

Mendoj se rekomandimet duhet përfshirë në Kodin Zgjedhor edhe atë para zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të bisedojmë për modelin zgjedhor në zgjedhjet lokale ku jemi përcaktuar për model të hapur me lista preferenciale ku qytetarët përveç partisë politike dhe koalicionit do të kenë mundësi të zgjedhin edhe kandidatin. Uroj të gjithë të jemi pozitiv ndaj këtij hapi demokratik përpara. Me këto ndryshime i marrim pushtetin liderëve të partive dhe ia japim qytetarëve. Në rast se ka rekomandim edhe për KSHZ-së, sigurisht se do ta respektojmë”-tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Opozita ka kërkesat e saj. VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjedhje lokale vetëm me një raund dhe të drejtën e votës për diasporën.

Jemi të gatshëm të bisedojmë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Qëndrimet tona janë të qarta dhe kemi bazë për të nisur bisedimet. Dy nga kërkesat tona bazë janë zgjedhje lokale me një raund dhe rregullimin e votimit që i jep mundësi votimi edhe diasporës”-pohoi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare kërkon që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bazohen në rekomandimet e OSBE-ODIHR-së me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme të mos shkelet demokracia.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa:

“Ne edhe më herët kemi deklaruar se nevojitet ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe krijimi i kushteve demokratike si dhe mbrojta e votës së lirë. Zgjedhjet e fundit ishin dëshmi e mungesës së demokracisë së përkrahur e mbështetur në Kodin Zgjedhor, posaçërisht në vendbanimet shqiptare”
.

Në rekomandimet e fundit të OSBE-ODIHR-së theksohet nevoja për ndryshime në Kodin Zgjedhor në një procedurë publike dhe në konsultim të gjerë, gjithëpërfshirës në mënyrë që i njëjti të jetë i harmonizuar me ligjet e tjera dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë raport jashtë vëmendjes nuk është lënë as Komisioni Zgjedhor. Rekomandohet që të  krijohet një përbërje dhe mandat i përhershëm i këtij komisioni, përmes procedurave të qarta dhe transparente për emërimin e anëtarëve. Të sqarohen udhëzimet ligjore për regjistrimin e votuesve. OSBE rekomandon që Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duhet t’i sigurohen burime të përshtatshme njerëzore dhe financiare për të kryer në mënyrë efikase detyrën gjatë periudhës zgjedhore.

Adrian Kerimi

Related Articles

Back to top button
Close
Close