
Një ditë pasi u zgjodh për të qenë udhëheqësi i Kishës Katolike, Papa i parë amerikan Leoni i XIV ka mbajtur meshën e parë në Vatikan.
Ati i Shenjtë puthi altarin dhe kreu ritualet përreth tij. Më pas Papa u lut për falje.
Gjatë kësaj meshe, kardinalët që morën pjesë në konklavë hoqën kapotën papnore, të cilën sipas rregullit e mbajnë deri kur Papa merr fronin, pasi vetëm ai ka të drejtë ta ketë.
Leximi i parë dhe i dytë i Meshës ‘pro ecclesia’, i pari për Papa Leonin e XIV, u bënë në anglisht dhe spanjisht. Ato janë dy gjuhët më të përdorura në meshat ndërkombëtare në Vatikan, por janë gjithashtu dy gjuhët kryesore të folura nga Papa, i lindur në Shtetet e Bashkuara dhe misionar prej kohësh në Peru.
“Edhe sot nuk janë të pakta kontekstet në të cilat besimi i krishterë konsiderohet diçka absurde, për personat e dobët dhe pak inteligjentë, kontekste në të cilat preferohen teknologjia, paratë, suksesi, fuqia, kënaqësia”, nënvizoi Papa në meshën e tij në Kapelën Sistine në prani të të gjithë kardinalëve.
Ai u zotua të ishte një “kujdestar besnik” i Kishës, duke shtuar se ajo duhet të gjykohet nga shenjtëria e anëtarëve të saj dhe jo nga madhështia e ndërtesave të saj.
Më herët Papa i ri bëri daljen e tij të parë surprize. Ati i Shenjtë u kthye për të përshëndetur njerëzit në Palazzo del Sant’Uffizio, vendi ku ai jetonte. Ai përshëndeti njerëzit në oborr, lejoi të fotografohej me ta dhe në fund u dha të gjithëve një bekim.
Pasardhësi i Papa Françeskut, trashëgon një sërë sfidash të mëdha, duke filluar nga një deficit buxhetor deri te përçarjet nëse Kisha duhet të jetë më mikpritëse ndaj komunitetit LGBT dhe të divorcuarve, dhe nëse duhet t’i lejojë gratë të luajnë një rol më të madh në Kishën Katolike.



