
Pamjet tregojnë një rezidencë të stolisur me luks të jashtëzakonshëm: mure të praruara, pasqyra me korniza ari, llambadarë masivë dhe bimë ekzotike. Në një nga dhomat kryesore, vërehet një portret i madh i perandorit Aleksandri III, i vendosur mbi një tavolinë elegante, ndërsa në qendër ndodhen disa divane me ngjyra të çelëta, të vendosura në mënyrë simetrike.
Putin fton gazetarin të hyjë me fjalët: “Kjo është shtëpia. Siç mund ta shihni, nuk është larg”, duke treguar një lidhje të drejtpërdrejtë midis zyrës së tij dhe pjesës private të banesës. Në njërën nga dhomat ndodhet edhe një piano, për të cilën presidenti rus thotë se e përdor shumë rrallë.
Videot janë pjesë e një interviste më të gjatë që pritet të transmetohet më 4 maj në televizionin rus, ku përveç ambienteve luksoze si biblioteka, dy dhoma gjumi dhe një “kishë shtëpiake” e vogël, Putin shfaqet duke diskutuar edhe për jetën e tij personale dhe momentet më të rëndësishme që ka kaluar në këtë rezidencë.
Në mars të vitit 2023, ai kishte deklaruar se një pjesë e bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping ishin zhvilluar pikërisht në këtë apartament: “E ftova presidentin si mik. Këtu kaloj shumicën e kohës, punoj dhe shpesh qëndroj natën. Ulur pranë oxhakut, duke pirë çaj, biseduam për gjithçka në paqe.”
Ky publikim shihet nga shumë analistë si një përpjekje për të krijuar një imazh më të afërt dhe njerëzor të një figure që tradicionalisht njihet për rezervën dhe autoritetin e fortë.



